Kurti: PSD-ja nuk ka më shumë se 2 për qind përkrahje

18 nëntor 2018 | 14:16

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për “Istinomer”, ka folur për situatën politike dhe ekonomike në vendin tonë.

Kurti në këtë intervistë ka dhënë përgjigje edhe për largimin e 12 deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të ardhmes së këtyre deputetëve në PSD.

Ai ka thënë se sipas anketave PSD-ja nuk kanë më shumë se 2 për qind përkrahje.

“Populli na i dha 32 mandate deputetësh në bazë të programit dhe qëndrimeve që i kemi paraqitur para opinionit. Mirëpo, dikush na i rrëmbeu 12 mandate, sepse suksesi i Lëvizjes sonë në zgjedhjet e kaluara iu ka penguar shumë qarqeve të caktuara. Me rrëmbimin e deputetëve po mundohen të na dobësojnë dhe të na lëndojnë. Në një kuptim, pak na kanë penguar, sepse tani jemi në një situatë që numrin e madh të votuesve ta përfaqësojmë me më pak deputetë, mirëpo, në të njëjtën kohë, një numër i madh i njerëzve po anëtarësohet në Vetëvendosje! dhe kjo tregon se jemi në rrugën e drejtë dhe se në zgjedhjet e reja do të jemi edhe më të suksesshëm. Deputetët që na braktisën ja morën vetes legjitimitetin, sepse sipas anketave nuk kanë më shumë se 2 për qind përkrahje”, ka thënë Kurti.

Në këtë intervistë Kurti ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka theksuar gjatë dialogut gjashtëvjeçar në mes të Kosovës dhe Serbisë (2011-2017) kanë dalë 33 marrëveshje.

Sipas Kurtit, disa janë zbatuar pjesërisht, të tjerat fare nuk respektohen, gjersa disa aplikohen por pa ndonjë ndikim konkret.

Ai ka thënë se të gjitha këto marrëveshje do të shqyrtohen së shpejti në Kuvendin e Kosovës, në bazë të raportit 38 faqesh, të cilin e ka përpiluar Qeveria e Kosovës.

“Esenca është se për detajet e këtyre bisedimeve shumë pak dihet. Për këtë nuk dinë as deputetët në Kuvendin e Kosovës, e as opinioni publik. Në fakt, në masë të madhe informatat nga Brukseli kufizohen në spekulime, qëllimi i të cilave është që ta heqin vëmendjen nga problemet socio-ekonomike dhe ta lodhin popullin”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për të qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes, Kejvina Kthella…