
Kurti publikon emblema të ndryshme, dyshon për përfshirjen e grupeve serbo-ruse në sulmet ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar emblema të ndryshme që janë kapur gjatë bastisjeve në veri të Kosovës pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor.
Ai ka thënë se këto emblema e uniforma, dëshmojnë për përfshirjen potenciale të grupeve terroriste serbo-ruse në destabilizimin e Kosovës.
“Pas bastisjeve në veri të Kosovës, në lidhje me sulmin kinetik terrorist të datës 29 nëntor 2024 ndaj kanalit të Ibër Lepencit, janë konfiskuar armë, uniforma dhe pajisje të ndryshme, si dhe janë gjetur emblema ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Ky zbulim shqetësues dëshmon për përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse, me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon”, ka shkruar ai.
Sipas tij, stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon.