Kurti: Pushtimi serb i Prishtinës para 111-vjetësh, një nga ditët më të errëta në historinë e shqiptarëve
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar 111-vjetorin e pushtimit serb të Prishtinës, duke thënë se data 22 tetor e vitit 1912, shënon një nga ditët më të errëta në historinë moderne të shqiptarëve dhe të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se atë ditë, 111 vjet më parë, njësitet çetnike serbe dhe ushtria e rregullt e Serbisë e pushtuan Prishtinën dhe vranë mijëra shqiptarë civilë.
“Katër ditë më parë, më 18 tetor 1912, rreth 255.000 ushtarë serbë të ndarë në tre grupime u nisën në sulm në tre drejtime, një ditë pasi Serbia i kishte shpallur luftë Perandorisë Osmane. Prej tyre, Armata e Tretë e Serbisë me rreth 76.000 ushtarë, e komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviq, e kishte për detyrë pushtimin e Kosovës”, ka përkujtuar Kurti.