Kurti: Putini është i fiksuar pas Kosovës

18 janar 2023 | 11:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dëshiron të krijojë konflikt në Kosovë, duke thënë se është I fiksuar pas vendit.

Ai ka thënë se Putinit i pengon ndërhyrja e suksesshme e perëndimorëve në Kosovë.

“Putini dëshiron të nxisë konfliktin me Kosovën. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai ndjeu kënaqësi për mungesën e suksesit të ndërhyrjeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron dhe e nervozon fakti që ata kanë pasur sukses në Kosovë”, ka deklaruar Kurti ndër të tjera për të përditshmen zvicerane “Blick”.

Më tutje, Kurti është shprehur i bindur se marrëveshja finale me Serbinë mund të arrihet brenda pak muajsh, pa përmendur nëse do të jetë njohja reciproke pjesë e saj.

“Jam optimist se marrëveshja mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për ta arritur atë, nëpërmjet mbështetjes së Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për t’u arritur një marrëveshje, nevojiten dy pale”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur për kërkesën e Partisë Popullore të Zvicrës (subjektit më të madh politik i krahut të djathtë atje) për largimin e trupave zvicerane në kuadër të KFOR-it nga Kosova, kryeministri Kurti ka thënë se nuk do të donte që një gjë të tillë të ndodh.

“I jemi shumë mirënjohës Zvicrës për kontributin që po jep ‘Swisscoy’ në Kosovë. Ne nuk do të dëshironim që ajo të tërheqë ushtarët e saj nga Kosova. Tani nuk është koha e duhur për këtë. Serbia ka ndërtuar 48 baza ushtarake në kufirin tonë, të cilat përbëjnë kërcënim për vendin. Pranë tyre janë parë mercenarë të grupit Wagner dhe bandës famëkeqe të Ujqërve të Natës. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Zvicrës dhe mezi pres që ajo të zgjasë mandatin e saj ushtarak deri më 2026-ën”, ka thënë Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje për akademiken,…