Kurti pyetet për rastin Kumanova: Populli ynë e ka një fjalë, por s’po ua them

13 dhjetor 2021 | 14:18

Kryeministri Albin Kurti është pyetur për rastin “Kumanova” dhe të burgosurit shqiptarë atje në seancën e sotme të Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, e pyeti Kurtin se çfarë qëndrimi mban rreth rastit të Kumanovës.

Po ashtu, ai e ka pyetur Kurtin nëse është angazhuar ai, ministrja e Drejtësisë apo presidentja për të krijuar mundësinë që të burgosurit kosovarë në Maqedoninë e Veriut të kthehen dhe ta mbajnë burgun në Kosovë.

Në përgjigje, Kurti ka thënë se kërkesën për këtë duhet ta bëjnë vetë të burgosurit.

“Transferi i tyre bëhet individualisht dhe jo në grup. Po ashtu, procedura e transferimit fillon me kërkesën e personit që është në vuajtje të dënimit. Deri më tani nuk jemi njoftuar zyrtarisht që është bërë një kërkesë e tillë”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se rasti i Kumanovës aktualisht është në Gjykatën Supreme dhe s’ka përfunduar, ndërsa ka paralajmëruar vizitë nga ana e institucioneve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

“Në takimet e fundit që i kemi pasur ne e kemi ngritur edhe këtë çështje për ta diskutuar”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se deputeti Berisha po bën “kinse” po brengoset për djemtë e Kumanovës.

“Epitetin e padrejtë, terrorist, e ka thënë kolegia juaj, ndërsa ju tash kinse po brengoseni tani për djemtë e Kumanovës që mbahen në burg atje. Populli ynë e ka një fjalë të urtë për këtë shprehje e këtë sjellje tuajën, por atë unë juve sot këtu s’po jua them”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka bërë me dije se…