Kurti: Qeveria do të kujdeset për modernizimin e ushtrisë me pajisje e armatim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ushtria e Kosovës është ëndrra dhe amaneti i brezave ndër vite që sakrifikuan dhe dhanë jetën për liri.
Këto komente, kryeministri Kurti i bëri gjatë vizitës së kazermës së FSK-së në Gjilan.
“Është kënaqësi të jem këtu sot, në mesin e juve ushtarakëve të përkushtuar. Ju ushtria e Kosovës jeni edhe ëndrra edhe amaneti i brezave ndër vite që sakrifikuan dhe dhanë jetën për lirinë. S’kam se si të mos ndihem i nderuar dhe krenar, dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të filluar vitin e ri”.
“Qeveria e Kosovës e merr me shumë përkushtim modernizimin e ushtrisë si në pajisje e armatim, ashtu edhe në kushtet e shërbimit dhe në ofrimin e mundësive ku ju mund të tregoni shkathtësitë tuaja ushtarake”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka theksuar se në vitin që lamë pas, FSK-ja sërish ka treguar profesionalizëm të lartë.
“Një ndër sukseset më të larta është pjesëmarrja në Defender Europe 2022, ku ju treguat profesionalizëm së bashku me ushtarët e NATO-s dhe SHBA-ve. Sfida e radhës Defender Europe 2023 do t‘ ju gjej edhe më mirë edhe më të përgatitur, jam i sigurt për suksesin tuaj edhe në këtë ushtrim”, ka pohuar Kurti.