Kurti: Qeveria e re do të konsolidohet pa ndonjë vonesë
Përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjornstad, dhe ambasadorin norvegjez, Jens Erik Grondahl, i priti sot në takim, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Përfaqësuesi special, Arne Sannes Bjornstad dhe ambasadori, Grondahl, e uruan kryetarin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për fitoren në këto zgjedhje.
“Ata po ashtu i dëshiruan sukses kryeministrit në ardhje, z. Kurti në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja. Kryetari Kurti i falënderoi për urimin dhe tha se është duke u përkushtuar që qeveria e re të konsolidohet pa ndonjë vonesë. Ai theksoi që detyra e parë dhe urgjente e qeverisë së re do të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid-19. Për këtë, të dyja palët ndanë bindjen që shtetet mike duhet ta ndihmojnë Kosovën për ta siguruar atë në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejtë”, ka njoftuar LV-ja.
Çështje tjera që u diskutuan krahas menaxhimit me pandeminë dhe prioriteteve të tjera të qeverisë së re, ishin edhe dialogu me Serbinë dhe raportet ndërfqinjësore.
“Kryetari Kurti përsëriti qëndrimin tonë që ky proces të përgatitët mirë dhe të jetë parimor e me qytetarët si përfitues. Në fund, të dyja palët shprehën vullnetin për ta zgjeruar bashkëpunim në çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe për t’i thelluar marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona”, ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje.