Kurti: Qeveria ka marrë masa e reforma në drejtim të barazisë gjinore
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë pjesë sot në takimin e Organizatës Gratë për Vetëvendosje.
Kurti ka theksuar se derisa jemi mbledhur për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Grave, si ditë solidariteti, qëndrese e reflektimi, sot përkujtojnë betejat e grave që luftuan dhe ranë në rrugën e lirisë së Kosovës.
“Kujtojmë gratë dëshmore, kujtojmë gratë punëtore e ato pa marrëdhënie të determinuar pune nga e kaluara dhe e tashmja, të cilat kanë luftuar pa u ndalur për të drejtat e grave dhe të drejtat e të gjithë njerëzve të margjinalizuar”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se në këtë ditë kujtojmë gratë e guximshme që udhëhoqën luftën për kushte më të mira pune e paga të barabarta.
“Nderojmë gratë që u ngritën kundër shfrytëzimit e shtypjes, që vazhdojnë të kërkojnë barazi dhe drejtësi, për çdo ditë, për çdo orë, edhe teksa ne jemi mbledhur këtu bashkë”, ka theksuar Kurti.
“Vizioni i GVV-së, vizioni jonë si Lëvizje Vetëvendosje! qëndron mbi themelin e vendosjes në pikëpyetje të principit bazë mbi të cilin ka zënë vend struktura shoqërore me të gjitha padrejtësitë e saj. Për fat të keq struktura shoqërore jo vetëm te ne, por përgjithësisht në secilën shoqëri është e ndërtuar vertikalisht dhe mirëmbahet vazhdimisht nëpërmjet dominimit të më të dobtëve. Kohë pas kohe, mundësisht çdo ditë, ne duhet t’ia shtrojmë vetes pyetjen: Pse identitete të ndryshme, në këtë rast identiteti gjinor, që është ndarja kryesore shoqërore përbën arsye për privilegje ose për shtypje? Pse? Sa më shumë që e denatyralizojmë përgjigjen, se pse gratë shtypen mbi bazën e gjinisë, aq më shumë arrijmë të përfytyrojmë një shoqëri barazimtare. Sa më shumë arrijmë t’i dekonstruktojmë rolet gjinore, do ta kuptojmë që në fakt gjithandej në shoqëri normat gjinore janë aq shumë, aq shpesh të imponuara”.
Ai ka thënë se si Qeveri e Kosovës kanë marrë masa e reforma në drejtim të barazisë gjinore, me ç’rast ka përmendur disa prej tyre.
“Në sektorin e financave, shtesat për fëmijë dhe shtesat për lehona janë iniciativa që kanë ndihmuar mbi 400 mijë fëmijë dhe mbi 45 mijë lehona, duke u dhënë atyre një shans më të mirë për të ardhmen e tyre. Në platformën Superpuna, rreth 10 mijë të rinj të angazhuar, prej të cilëve gjysma janë vajza e gra, po tregojnë potencialin e tyre në forcimin e ekonomisë sonë përditë. Vetëm përmes masës “Qeveria për Familjet”, ku e kemi subvencionuar pagën e punëtorit, ashtu që të sigurohemi që së paku një anëtar i familjes të jetë i punësuar, kemi rreth 2,000 përfitues, gjysma e tyre janë gra, kryefamiljare gra”.
“Në fushën e drejtësisë, Strategjia Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunimeve Seksuale janë hapa të rëndësishëm drejt garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së grave. Dënime plotësuese për dhunuesit dhe ndihma juridike falas për të mbijetuarat e dhunës, tregojnë angazhimin tonë si për drejtësi, ashtu edhe për mbrojtje”.
“Ndërsa në shëndetësi, për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëhet rikonstruktimi i gjirit për gratë të cilat e kanë mposhtur kancerin. Tashmë ofrohet melografi falas për të gjitha gratë dhe Vaksina HPV e cila në mënyrë direkte e parandalon kancerin e qafës së mitrës, për herë të parë në Kosovë. Kanë filluar gjithashtu për herë të parë investimet në shërbimet që ofrohen në Klinikën e Gjinekologjisë. Prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë është shëndeti i nënës dhe fëmijës, fuqizimi i programit për vizitat shtëpiake për nënat dhe fëmijët, e për këtë janë realizuar 65,143 vizita për nënat dhe fëmijët”.
“Në arsim, bursat për studentet e vajzat në programet STEM dhe bursat për komunitetet e ndjeshme. Vetëm me STEM kemi rreth 3,000 studente përfituese. Kjo politikë tregon përkushtimin tonë për të përmirësuar qasjen dhe mundësitë për të gjitha gratë në arsimin në vend”.
“Në ekonomi, subvencionimi i pajisjeve të energjisë për nënat vetëushqyese dhe pjesëmarrja e gruas në bordet e ndërmarrjeve publike, janë disa nga masat që po ndërmarrim për të përmirësuar pozitën e grave në sektorin ekonomik. Si rezultat i subvencionimit të një pjese të kryegjësë së kredisë nga Qeveria, kemi përkrahur kreditë në pronësi të grave për të zgjeruar aktivitetet biznesore të tyre, në vlerë prej mbi katër milionë euro”.
Kurti ka thënë se këto janë vetëm disa nga shumë të arriturat që po bëhen për të përforcuar pozitën dhe të drejtat e grave në Kosovë. “Ne jemi të vendosur të vazhdojmë këtë rrugë drejt një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë për të gjithë”, është shprehur Kurti.