Kurti: Qeveria mund të largohet, taksa të mbetet
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë sa i përket taksës ndaj Serbisë kanë qëndrime të ndryshme me presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.
Kurti ka thënë se qeveria mund të largohet, por taksa duhet të mbetet në fuqi.
“Tash kemi tarifën 100 për qind dhe ne kemi qëndrim të kundërt me presidentin dhe kryeparlamentarin. Ata duan që taksa të hiqet dhe kryeministri Haradinaj të mbetet. Ne duam që të largohet kjo Qeveri dhe Ramush Haradinaj ndërsa të mbetet kjo tarifë”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se nuk ka kuptim dialogu i ri me Serbinë derisa çdo ditë kemi ftesa nga Specialja për ushtarët e UÇK-së.
“Sivjet, mes 24 marsit dhe 12 qershorit, do të përkujtojmë çdo ditë nga 3-4 masakra të vitit 1999 prandaj ndaluni, nuk guxojmë të gabojmë dhe duhet të nxjerrim mësime që të mos përsërisim gabime nga dialogu”, ka deklaruar Kurti, duke paralajmëruar protesta madhështore nëse nuk ndalet presidenti Hashim Thaçi.