Kurti: Qeverisë dhe presidentit nuk i konvenon anëtarësimi i Kosovës në BE
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria nuk është e gatshme për Bashkim Evropian (BE).
Ai ka thënë se kryeministrit Ramush Haradinajt dhe Qeverisë nuk i konvenon lëvizja majtas kah rendi e ligji, sikurse nuk i konvenonte ish-Qeverisë së Gruevskit në Maqedoni.
“Gjatë kësaj qeverisje 9 mujore nuk kemi përgjigje për krimet, në vazhdimësi nuk kemi drejtësi. Drejtësia po mohohet e krimi po gjallon”.
“Gjykata në një vend demokratik duhet të jetë e pavarur nga Qeveria, por jo nga shteti. E kundërta vlen në Kosovë, kemi gjykatë e gjykatës të pavarur nga shteti i Kosovës përfshirë këtu EULEX-in dhe aq të varur nga Qeveria dhe regjimi në fuqi”.
“Qeverisë dhe presidentit nuk i konvenon anëtarësimi i Kosovës në BE, sepse do të ishte lëvizje e Kosovës majtas dhe kah rendi e ligji. Qeveria është për Bashkim Evropian se e din që nuk është afër me ndodhë kjo”, ka thënë Kurti gjatë interpelancës në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të shtetit.
Më tutje, ai e ka pyetur kryeministrin e Haradinajt se a vazhdon të jetë Kosova shtet i kapur.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar kryeministri Ramush Haradinaj. Ai i ka thënë Kurtit se nuk ka të drejtë ta krahasojë Qeverinë e tij me atë të Gruevskit.
“Shumë prej konstatimeve tua janë të vërteta. Gati të pashë si një lider parimor, por i bëre disa gabime faktike që nuk po kam qare pa t’i thënë që nuk po të shkojnë për shtati. As në kohë, as hapësirë, në çfarëdo matematike nuk mund ta krahasosh Qeverinë Haradinaj me Qeverinë Gruevski. Nuk të takon kjo”, ka thënë Haradinaj, duke shtruar se Qeveria është duke punuar për anëtarësim në BE.