Kurti: Qeverisja lokale po i bën opozitë nivelit qendror, kjo është gabim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeverisja lokale po i bënë opozitë nivelit qendror.
Kryeministri Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë, tha se dikur niveli qendror i bënte opozitë nivelit lokal, kurse tash po ndodh e kundërta, e cila sipas tij është gabim.
“Javën tjetër, do të mbajmë takimin e radhës të përbashkët me Kryetarët e Komunave, të katërtin deri më tani, me qëllim mirëmbajtjen e komunikimit mes nivelit qendror dhe atij lokal dhe për të diskutuar për çështje me interes për qytetarët. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, që është edhe ministri i linjës, është në komunikim dhe dispozicion të përhershëm me krerët e komunave, pa dallim. Këto janë dëshmi të forta, sepse janë fakte të qarta, të mbështetjes dhe gatishmërisë për bashkëpunim të afërt të Qeverisë me komunat. Dikur niveli qendror i bënte opozitë qeverisjes lokale. Sot, qeverisja lokale në disa raste po përdoret për opozitë të nivelit qendror. Gabim ka qenë atëherë. Gabim është edhe tani. Bashkëpunimin e kemi përgjegjësi. Të dy nivelet e qeverisjes burojnë nga vullneti i qytetarëve. Prandaj, edhe duhet të jemi në shërbim të tyre. Qeveria është e të gjithëve. Edhe e komunave. E komunat janë të qytetarëve, jo të partive politike”, ka theksuar Kurti
Kurti ka bërë me dije se para dy javëve, Komisioni i Granteve mbajti një takim të rëndësishëm, në të cilin u miratua ndarja e granteve për komuna për periudhën 2024-2026.
Ai ka thënë se buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë qeverisjes së tyre sesa gjatë qeverisë së mëparshme, apo rritje mbi 35%.
“Ndërkaq, Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 kapë shumën prej 284.7 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekorde e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit. Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim. Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro. Në atë mbledhje, Komisioni i Granteve miratoi buxhetin me rritje edhe për Grantin e Kryeqytetit me afro 12% krahasuar me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80%”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka pohuar se në fillim të prillit, në një takim, ku ishin të ftuar të gjithë kryetarët e komunave, hapën thirrjen publike për komuna për masat e efiçiencës së energjisë për ndërtesat e banimit social, në kuadër të pakos 75 milionëshe për përballje me krizën energjetike.
Gjithashtu ai tha se në maj të vitit të kaluar, nënshkruan “Kartën për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme”, në kuadër të agjendës së gjelbër.