Kurti, Quintit: Ose t’i mbajmë të dy shtetet targat e përkohshme, ose t’i heqim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quinit dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Siç ka njoftuar qeveria, në këtë takim, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente.
Ai ka thënë se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.
“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar”, ka pohuar kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.
“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpijnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka theksuar kryeministri Kurti.
Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ministri Sveçla ka theksuar se policët tanë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. “Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë ai.
Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë.