Kurti, Quintit: Veprimet e Thaçit janë përtej mandatit të tij kushtetues
Kryeministri në detyrë Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot gjatë ditës kanë pritur në takim ambasadorët e shteteve të Quintit dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi mbarëvajtjen e vendimeve të Qeverisë për menaxhimin dhe parandalimin e Covid-19 dhe me situatën aktuale me numrin e të infektuarve si dhe gjendjen e tyre.
“Ai po ashtu i njoftoi se pas Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria në detyrë po zhvillon përgatitjet e nevojshme për hartimin e pakos së dytë financiare, e cila do të ketë për qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë pas goditjes nga pandemia”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
“Më pastaj, në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend, Kryeministri në detyrë Kurti, theksoi se veprimet e fundit të presidentit Thaçi janë përtej mandatit të tij kushtetues dhe në kundërshtim me rendin demokratik. Ai shtoi se, si rezultat i këtyre përpjekjeve për të formuar Qeveri të re duke anashkaluar zgjedhjet e parakohshme, qytetarët asnjë herë më parë nuk kanë qenë më të zemëruar. Veprime të tilla shkojnë kundër vullnetit të qytetarëve dhe janë cenim i parimit të demokracisë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
/Epoka e re/