Kurti, qytetarëve: Jemi kaq afër fitores, rikthimi i virusit do të ishte zhgënjyes

10 maj 2020 | 14:56

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) kudër përhapjes se koronavirusit.

Pavarësisht numrit të vogël të rasteve të reja me Covid-19, Kurti ka thënë se nuk është momenti për tu relaksuar.

“ Siç ka thënë një ekspert amerikan i pandemive para disa ditësh, Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë. Mirëpo, tani nuk është momenti për t’u relaksuar. Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Të dashur qytetarë,

Që nga data 4 maj 2020 kemi filluar me masat e reja që janë paraparë gjatë fazës së parë të hapjes graduale lidhur me pandeminë COVID-19. Të gjithë jemi krenarë për suksesin tonë në uljen e dukshme të lakores së virusit në Kosovë. Gjatë 13 ditëve të fundit, çdo mbrëmje kemi pasur arsye për t’u gëzuar sepse ka pasur më shumë të shëruar sesa të infektuar. Në dy javët e fundit kemi 460 të shëruar e vetëm 90 të infektuar (pra, mbi pesëfishin).

Siç ka thënë një ekspert amerikan i pandemive para disa ditësh, Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë. Mirëpo, tani nuk është momenti për t’u relaksuar. Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij.

Sigurisht se kemi qenë të suksesshëm deri tani në luftimin e parandalimin e COVID-19, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë të përfunduar këtë betejë. Ata që e bëjnë një gjë të tillë do të na pamundësojnë fitoren e shumëpritur. Le të mos harrojmë që ende nuk e posedojmë as antiviralin e as vaksinën për këtë virus. Për të gjithë ne, ai mbetet ende i panjohur. Edhe pse po e mundim këtë armik të padukshëm (kemi gati tre herë e gjysmë më shumë të shëruar sesa raste aktive), kjo nuk garanton pamundësimin e infektimeve të reja.

Andaj, le të vazhdojmë të respektojmë, deri në fund, masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKShPK-së.

Të shmangim vizitat familjare dhe shoqërore.

Të qëndrojmë në shtëpi.

Të mbajmë distancën.

Të durojmë edhe pak, e fitorja do të jetë e jona. (L.G/ Epoka e re)

https://www.facebook.com/albini2017/photos/a.222845524882006/868302777002941/?type=3&theater

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata e krijuar nga Covid-19 dhe masat drastike që janë…