Kurti, Ramës: Draftin për Asociacionin propozoja Vuçiqit për shqiptarët e Luginës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ka folur për draftin e Asociacionit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ua ka dërguar qendrave perëndimore – Berlinit dhe Parisit.
Kurti ka thënë se duke besuar në atë që beson Edi Rama se ai draft është i mirë, ka sugjeruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që atë draft t’ia dorëzojë Aleksandër Vuçiqit për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Në takimin në Ohër unë kam ofruar ta shkruaj draft-statusin. S’kam interes që t’i dominoj. Por në atë rast kam kërkuar që të ketë dakordim për parimet bazë. Parimet dhe fryma i paraprijnë germës dhe tekstit. Unë nuk kam dyshim që z. Edi Rama beson që propozimi i tij është i mirë dhe duke qenë kështu, atëherë krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë draft statut për pakicat kombëtare, t’ia prezantoj presidentit të Serbisë, Vuçiq, më së largu në takimin e radhës të ‘Open Balkan’ për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Këtë propozim ai do të duhej t’ia bënte Vuçiqit për shqiptarët në Luginë. Propozimi im është që duke besuar, në atë që beson kryeministri Rama se ai model është i mirë, në vend se t’ia propozoj Berlinit dhe Parisit për Kosovën, t’ia prezantoj Beogradit për shqiptarët në Serbi”, ka thënë Kurti, duke bërë me dije se nuk e di përmbajtjen e draft-statutit të propozuar nga Rama.
“Unë nuk e di atë draft-statut, nuk e kam lexuar”, ka shtuar Kurti.