Kurti: Rasti i mjedrave është një nga shembujt e potencialit tonë eksportues
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në Konferencën e 7-të të Mjedrës në Kosovë “Mjedra – Iniciativat e reja për ndryshimet klimatike”.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se këtë vit kanë dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët, duke theksuar se vitin e ardhshëm buxheti për bujqësi do të jetë më i lartë.
“Gjatë këtij viti kemi dhënë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për bujqit dhe për fermerët. Krahas mbështetjes prej 70 milionë euro, subvencionimit të kulturave të shumta bujqësore, në mesin e tyre edhe të mjedrës – për 25% më shumë se sa në vitin pararendës, këtë vit kishim ndarë edhe 3.5 milionë euro për zhvillimin dhe promovimin e Turizmit Rural dhe të Agro-Turizmit. Ndërkaq, sipas planifikimeve të buxhetit për vitin 2023 që tashmë ka kaluar në lexim të parë, buxheti për bujqësi parashihet të jetë 87 milionë euro, ndërkaq kur të përfshijmë edhe mbështetjen nga fondet e jashtme, ai pritet që për herë të parë në Kosovë ta kalojë shumën prej 100 milionë euro”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në tetë vitet e fundit, pra nga viti 2014 deri në 2022, Kosova ka prodhuar afër 29,000 tonë mjedër, në vlerë prej 65 milionë euro, pothuajse e tëra për eksport për në vendet e BE-së, ndërkaq që vetëm këtë vit u prodhuan afro 2,600 tonë mjedër me një vlerë të eksportit prej mbi 11 milionë euro apo saktësisht 11 milionë e 50 euro.
Kryeministri Kurti ka thënë se rasti i mjedrave është një nga shembujt e potencialit tonë eksportues. “Nuk ka dyshim që vendi ynë po bëhet vend i orientuar për nga eksporti”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se qeveria është e përkushtuar që të mbështesë dhe zbatojë standardet më të mira të mundshme në përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit, krijimin e vendeve të punës e kushte më të mira të punës, rritjes së eksportit, sigurimin e ushqimit të bollshëm e të sigurt dhe përmirësimin e gjallërimin e peizazhit agro-rural.