Kurti reagon për votimin e rezolutës për dialogun: Shpejt u shtrinë
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, është shprehur i pakënaqur me miratimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës për dialogun dhe krijimin e ekipit negociator pjesë e së cilit do të jetë edhe një pjesë e opozitës, PSD-ja.
Sipas tij, për koalicionin qeverisës dhe PSD-në punësimi e drejtësia, arsimi e shëndetësia, buxheti i ri për FSK-në, të gjitha këto presin, ama dialogu me Serbinë është çështje urgjente.
“U shtrinë. Ende pa u bërë gjashtë orë nga miratimi i tri ligjeve të cilat e bënë Kosovën me Ministri të Mbrojtjes dhe me FSK të avancuar drejt ushtrisë, u mblodhën nënshkrimet për seancë urgjente për normalizim me Serbinë. Punësimi e drejtësia, arsimi e shëndetësia, buxheti i ri për FSK-në, të gjitha këto presin, ama dialogu me Serbinë është çështje urgjente, thanë mbrëmë! Kush donte ta zvogëlonte entuziazmin popullor për ushtrinë në Kosovë? Paj, askush si Serbia. Ishte çështje urgjente kjo. Andaj shpejt u shtrinë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/