Kurti reagon për zhvillimet e fundit në KEK
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me emërimin e kushëririt të presidentit Hashim Thaçit, Njazi Thaçi, si ushtrues detyre i drejtorit të KEK-ut.
Sipas zyrtareve të kësaj lëvizje, kjo tregon edhe njëherë se kapja e shtetit po vazhdon dhe nga personi dhe subjekti i njëjtë, Hashim Thaçi dhe PDK-ja.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka akuzuar drejtpërdrejt Thaçin dhe PDK-në për kapjen e shtetit.
“Thaçët dhe PDK-ja kanë ushtruar pushtet në KEK nëpërmjet z. Njazi Thaçit, që për një kohë të gjatë sa ishte drejtor i Prokurimit nënshkroi kontrata që gati e kolapsuan këtë kompani publike. Raportime të shumta hulumtuese nga mediet dhe organizatat e huaja të auditimit kanë treguar për manipulime të rregullta të Njazi Thaçit në KEK. Në kohën kur në këtë zyrë ishte pikërisht z. Thaçi, ndër përfituesit të të mëdhenj ishin kompanitë nga Serbia. Për aq sa është zbuluar deri më sot, në kohën sa Qeverinë e kishte PDK-ja e shef i Prokurimit ishte i sapoemruari u.d i drejtorit në KEK, kompanitë serbe përfituar rreth 400 milionë eurove vetëm deri ën vitin 2013”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se nga mbrëmë është thelluar krimi i organizuar dhe kapja e shtetit e shtetit të Kosovës në epiqendër të së cilit ndodhet pikërisht presidenti aktual.
Ndërsa, Avni Zogiani ka folur për orientimin e fondeve drejt kompanive serbe në kohën sa kushëriri i Hashim Thaçit, Njazi Thaçi ishte udhëheqës i Prokurimit.
“Zyra e Auditorit të BE-së, OLAF, pati gjetur lidhje të dyshimta te tenderët e kompanive serbe të importit të energjisë, që kryesisht paraqiten me emrat ’Rudnap’ me seli në Beograd, ‘Geni’, po ashtu në Beograd dhe të kompanisë ‘EFT’, me seli në Londër, por që rrënjët i ka në shtetin serb dhe është në pronësi të biznesmenëve serbë. Të ndërlidhur me këto kompani ishin të ashtuquajturit mafia energjetike në Ballkan, të famshmit Vuk Hamoviq dhe Damir Fazliq, ky i fundit nip i ish-shefit të Sigurimit Shtetëror Serb, UDB, Jovica Stanishiq”, ka thënë Zogiani.
Sipas tij, Njazi Thaçi, gjatë karrierës së tij si zyrtar i KEK-ut ka shpërblyer me tenderë edhe familjarët e deputetëve të PDK-së. Ai ka thënë se familja e ish-deputetit Shaip Muja nëpërmjet kompanisë “Doni” dhe “Ci-Kos”, pronë e Fatmir Mujës, vëllait të Shaipit, është e kontraktuar për shitjen e skrapit të KEK-ut, ku Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur një sërë parregullsish.