Kurti refuzon të përgjigjet për ftesën e Prokurorisë: “Do të shkoj në një koncert”
Kryeministri Albin Kurti, ka refuzuar sërish të deklarohet në lidhje me ftesën për intervistim lidhur me skandalin e rezervave shtetërore, në cilësinë e dëshmitarit, që ka marrë nga Prokuroria Speciale dhe mospërgjigjen ndaj saj.
Kurti është pyetur nga gazetarët nëse do t’i përgjigjet Prokurorisë sipas afateve, mirëpo s’është përgjigjur.
“Do të shkoj në 7:30 në një koncert”, ka deklaruar shkurt Kurti.
Më herët u raportua se Kurti e ka kryer intervistimin në Prokurorinë Speciale. Reporteri.net ka provuar t’i konfirmojë këto raportime nga zëdhënësja e Prokurorisë Speicale, Liridona Kozmaqi dhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, por deri tani nuk ka marrë përgjigje nga asnjëri.
Ndryshe, mediat më të mëdha ndërkombëtare e kanë dhënë sot lajmin se Prokuroria Speciale e Kosovës e ka thirrur për të dëshmuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Washington Post ka transmetuar një lajm të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Associated Press ku shkruhet se Kurti është ftuar të dëshmojë në një rast që, siç thuhet në tekst, mbetet i paqartë. Këto media kanë shkruar se se mbështetësit e kryeministrin thonë se kjo është një lëvizje e shtyrë politikisht ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhje.
Sipas Liridona Kozmaqit, zëdhënëse e prokurorisë, Kurti ishte në një udhëtim jashtë vendit dhe se do të caktohej një datë tjetër për thirrjen. Ajo nuk pranoi të jepte detaje mbi natyrën e rastit.