Kurti: Rexhep Mala e Nuhi Berisha, njëri mësues e tjetri student, ishin të patrembur
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar në 35-vjetorin e rënies Rexhep Malën e Nuhi Berishën.
Kurti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Rexhep Mala e Nuhi Berisha, njëri mësues e tjetri student, ishin të patrembur.
Postimi i plotë i tij:
Një agim i përgjakur ishte ai i 35 viteve më parë, në Prishtinën e 12 janarit 1984. Pas një rezistence të armatosur që zgjati një natë të tërë, u vranë prej pushtuesve serbë Rexhep Mala, asokohe 33 vjeçar, nga Hogoshti i Dardanës, dhe Nuhi Berisha, 23 vjeçar nga fshati Svircë i Dardanës.
Dy dëshmorët u vranë në lagjen e cila më pas për nder të tyre u quajt Kodra e Trimave. Dëshmitarët, të cilët janë ende gjallë, tregojnë se përgjatë rrethimit, në shkëmbim të vazhdueshëm të plumbave, dy dëshmorët tanë vazhdimisht kanë kënduar këngë patriotike.
Në atë natë të errët të shtypjes mizore, banorët e Kodrës së Trimave e panë të parët dritën e Flakës së Janarit, dritë e trimërisë, dritë e plumbave, dritë e këngës, drita e gjakut të pastër të dëshmorëve të rënë për idealin e çlirimit e bashkimit kombëtar.
Rexhep Mala e Nuhi Berisha, njëri mësues e tjetri student, ishin të patrembur. Rexhepi, si më i vjetër, kishte mbajtur edhe 9 vite burg, i arrestuar në 1974 bashkë me grupin e Adem Demaçit. Prej tij na ka mbetur ditari i burgut. Ndërsa Nuhiu, edhe pse shumë i ri, kishte tashmë përvojë revolucionare me pjesëmarrjen në demonstratat e 1981, që në moshën 20 vjeçare.
Në 35 vjetorin e rënies së dy dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha duhet t’ia përkujtojmë vetes misionin tonë historik, idealin tonë kombëtar, që e marrim prej dëshmorëve. Rruga jonë është rruga e tyre. Dhe veç në respekt të dëshmorëve përkulemi!