Kurti: Rinia do të jetë përherë brenda kombit në politikat tona qeveritare
Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, kryeministri Albin Kurti, ka marrë në seancën e organizuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga Grupit i Deputetëve të Rinj, në shënim të kësaj dite.
Pas kësaj seance, kryeministri Kurti, ka marrë pjesë në hapjen e panairit të iniciativave rinore në Republikën e Kosovës.
Kurti ka thënë se Kosova është me fat që ka numrin më të madh të të rinjve në Evropë.
“Edhe pse jemi një vend jo i madh, ne kemi fatin të kemi numrin më të lartë të të rinjve në Evropë për popullsi të caktuar. Jemi të ndërgjegjshëm se disponojmë me të drejtë nga natyra talentin dhe energjinë e shoqërive të përparuara. Sepse, të gjithë në këtë sallë e jashtë saj, jemi të bindur se talenti nuk njeh shtetësi. Talenti njeh vetëm seriozitet. Duhet pra të jemi serioz me pjesën më energjike të shoqërisë sonë, me rininë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se të rinjtë do të jenë gjithmonë brenda politikave qeveritare.
“E di që ka të rinj që kanë marrë botën në sy por gjithashtu e di edhe që shumë të ri po kthehen nga bota në Kosovë dhe që të gjithë këta qofshin në Kosovë ose në mërgatë, mund të jenë nganjëherë jashtë vendlindjes, por do të jenë përherë brenda kombit në politikat tona qeveritare e në angazhimet tona publike”, ka thënë Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të dashur të rinj të Republikës së Kosovës,
Të nderuar deputetë,
Qëllimi i këtij takimi është i qartë: marrëdhënia e politikave publike dhe ekonomike me një brez, me rininë. Dhe kur bëhet fjalë për këtë relacion mes politikës dhe rinisë, duhet të mbajmë në mendje gjithnjë katër gjëra:
– E para, masa rinore në çdo vend është masa më e madhe energjike dhe krijuese;
– E dyta, në vendin tonë përkundër shumë shteteve të tjera perëndimore e në veçanti evropiane, rinia është masa më e madhe njerëzore, mosha mesatare në Kosovë është 30 vjeç e 2/3 janë nën 35 vjeç;
– Që rinia është pjesë e popullsisë që do të vuante gabimet, dështimet dhe vonesat tona;
– dhe e katërta, që rinia do të shohë gjysmë shekulli pas nesh, fatet dhe gjendjen e njerëzimit dhe të botës.
Kur i drejtohemi të rinjve, nevojitet, pjekuri, imagjinatë, njohje sociologjike. Nuk mund të ketë politika rinore pa bashkimin e këtyre dy premisave. Nga ana jonë, duhet të dimë mirë rrafshet e veprimtarive dhe nevojave të ndërtimit të përgjithshëm. E nga ana e vet, rinia duhet të na ofrojë numrin më të madh të dëshirave dhe të pasioneve. Sot që flasim këtu, jemi të ndërgjegjshëm për ecurinë botërore të prodhimit e të punësimit. Edhe pse jemi një vend jo i madh, ne kemi fatin të kemi numrin më të lartë të të rinjve në Evropë për popullsi të caktuar. Jemi të ndërgjegjshëm se disponojmë me të drejtë nga natyra talentin dhe energjinë e shoqërive të përparuara. Sepse, të gjithë në këtë sallë e jashtë saj, jemi të bindur se talenti nuk njeh shtetësi. Talenti njeh vetëm seriozitet. Duhet pra të jemi serioz me pjesën më energjike të shoqërisë sonë, me rininë.
Në programin tonë qeverisës ne kemi ngulur këmbë në efikasitetin e sistemit dual. Kush më mirë se ne, me një popullsi kaq të re e kaq të madhe mund të përmbushë kriteret e një sistemi të tillë. Në bazë të zhvillimit qëndron pikërisht sistemi dual. Lidhja e arsimit me ekonominë.
Lidhja e arsimimit profesional me tregun e punës. Nëse ka një gjë që është më e rëndësishme edhe se ekonomia edhe se arsimi kam përshtypjen që është lidhja midis këtyre të dyjave. Pra lidhja e arsimit me punësimin apo ura që mundëson, që diploma nga shkolla apo fakulteti sjell edhe vend pune në ekonominë e Kosovës.
Praktikë pra dhe teori, sistemi dual. Na nevojitet një trupë universitare e ndërgjegjshme, shkolla teknike dhe profesionale moderne e të frytshme, nisma prodhimtare dhe investime, përdorim maksimal i të dhënave të natyrës që disponojmë. Duhet të kryqëzojmë kthjelltësinë administrative të burimeve njerëzore me pasionin e larmishëm të rinisë. Pjekuri politike dhe pasion rinor, kjo duhet të jetë deviza jonë.
Më lejoni një krahasim, për vërtetësinë e të cilit jam shumë i bindur. Puna me rininë i ngjan punës me natyrën e në të dy rastet kemi të bëjmë me ekologji. Ekologjia si mbrojtje e natyrës, ekologjia si mbrojtje e njeriut. Duke e mbrojtur rininë, ne mbrojmë shoqërinë, e mbrojmë vetveten.
Sepse të zgjosh e të mbrosh aftësitë e rinisë, do të thotë të sigurosh njeriun për dekadat e ardhshme. Investimi në rini është investimi më afatgjatë. Në ekologji po flitet për burime të rinovueshme të energjisë. E njëjta gjë duhet të thuhet edhe për rininë, sepse rinia është rinovimi i një populli.
Të rinjtë besoj që duhet ta zgjerojnë rrafshin e veprimit. Ne kemi patur zeje, por teknologjia gabimisht duket se na i ka bërë të pavlefshme ato. Mos harroni, në natyrë po kërkohen produkte bio. Edhe në rrafshin e prodhimit të sendeve të jetës së përditshme, artizanati mendohet dhe vlerësohet sot si prodhimi bio. Na duhet prodhimi dhe industria e lartë, por na duhet edhe prodhimi lokal e autentik. Zejet tona prodhonin produkte bio, sepse këto e shprehnin dhe e mbronin në rend lokal aftësinë dhe talentin e njeriut. Përveç industrisë që është universale në botë, na nevojiten edhe prodhimet artizanale që janë nga ne, tek ne, për ne dhe të tjerët.
Ne duhet të sjellim investime, por duhet të organizojmë edhe kushtet e një prodhimi autentik cilësor, i cili mund të jetë i duhuri për përdorimin e energjisë dhe për përdorimin e aftësisë e të talentit posaçërisht të rinisë. Na nevojitet jo vetëm sportisti i talentuar, por dhe artizani i shkëlqyer, na duhet jo vetëm muzikanti i suksesshëm, por edhe bujku krijimtar. E kemi të lehtë të masim ndihmën që do t’ia japim bujqësisë, pasi për numër popullsie e për nevojë tregu, e për sipërfaqe toke janë të kalkulueshme mbështetja që i jepet nga qeveria. Ama pikërisht për masën e talentit të një populli, asnjë qeveri, sado largpamëse, nuk mund të garantojë një dije të qëndrueshme.
Qeveria duhet të shohë projektet e investimeve të mëdha, i riu duhet të shohë projektet e mundshme me jetën e tij. Dhe ky është bashkëpunimi që ne duhet ta bëjmë me njëri tjetrin.
Shoqëria duhet të kërkojë nga universiteti, por ama edhe vetë shoqëria duhet të jetë e drejtuar nga nisma institutesh dhe organizatash. Sepse studimet sociologjike nuk janë monopol i trupës universitare, as i programeve qeverisëse por i mbarë shoqërisë.
Andaj kalituni, ngrituni, si individë por edhe formoni sa më shumë shoqata, organizata drejt instituteve dhe shtetit. Për shkak se individët bëhen më të zotë, e më të mirë atëherë kur janë bashkë dhe kur rrinë e punojnë bashkë.
Përfitoj edhe një herë nga rasti të përshëndes e përgëzoj të gjithë ata të rinj e të reja që me sukseset e tyre ndërkombëtare kanë dëshmuar fuqinë e të rinjve tanë e janë kthyer në shembull për të gjithë rininë. Secili prej juve kur vije në sferën publike bëhet shembull për të tjerët, sepse dikush të sheh. Mund të mos jesh i vetëdijshëm që je shembull ama je shembull sepse të tjerët të shohin asisoj dhe të ndjekin. E sa më shumë që të ndjekin, aq më shumë do të ketë edhe mbështetës, e në të gjithë këta mbështetës përfundimisht mbështetën edhe shoqëria edhe shteti.
Me shembujt në arte dhe sporte, në muzikë, në kinema, në xhudo e futboll, për të përmendur vetëm këta shembuj, ne kemi treguar gjithashtu që mund të kemi sukses edhe në fusha të tjera. Me suksesin e tyre ata na kanë zgjeruar fushën e pasioneve.
Të gjithë njerëzit e suksesshëm inkurajojnë të tjerët që të merren në ato fushë veprimtari kur këta e ku këta janë të suksesshëm.
Kemi suksese edhe në fusha të tjera, andaj duhet t’i bëjmë edhe këto suksese po aq të zëshme, po aq të dukshme. Nëse shoqëritë e tjera po plaken, ne jemi shoqëri e re. Rinia jonë nuk është flegmatike, sepse ajo është pasardhëse e brezit të luftës edhe të rezistencës. Të gjithë prindërit e juaj kanë marrë pjesë në rezistencë e në luftë, dhe ju jeni fëmijët e tyre, andaj ju nuk mund të jeni pasiv e flegmatikë dhe kjo paraqet dhe pasuri e shancë të jashtëzakonshëm për vendin tonë.
Le ta përsëris edhe një herë pra këtë gjë. Nëse rinia jonë e njeh historinë e brezit paraardhës, nuk do ta ketë të vështirë të shmangë flegmën e përgjithshme. Andaj është thelbësor edukimi me historinë e popullit tonë. Çdo brez rinor do ta gjej vërtetësinë e vet në trashëgiminë e arritjeve të një brezi. Sepse ne kaluam nga shoqëria paralele të sukseset e artistëve dhe sportistëve tanë.
Në suksesin e tyre, edhe nëse nuk e kemi vënë re një gjë, ka diçka gjithmonë prej historie. Në secilin njeri të suksesshëm nuk është vetëm e tashmja jonë por është edhe historia jonë, janë prindërit edhe gjyshet e gjyshërit tuaj.
Nëse të rinjtë tanë po largohen prej vendit, jam i sigurt se ne si shoqëri, lidhjen me atdheun megjithatë e kemi të pazgjidhshme. Prandaj uroj dhe besoj se lidhja me talentin duhet të jetë po aq e pazgjidhshme sa edhe lidhja me atdheun. Sepse njeriu ka dy atdhe, vendin kolektiv të trashëgimisë, por edhe një atdhe të së ardhmes, talentin si vend individual të trashëgimisë.
Prandaj, nuk ka gjë më të natyrshme se ta shprehësh talentin tënd në dheun tënd. Mjekë mund të kërkojnë shumë vende të botës, por mjekë i duhen dhe çdo komune të Kosovës. Teknologjitë e larta i duhen mbarë globit, por teknologjitë e larta në informacion i duhen edhe Kosovës.
Cila është nyja e veprimit në këtë rast, dhe çfarë kërkohet nga lidhja shtet-shkollë? Rritja e cilësisë së arsimit. Kjo është urgjente. I takon shkollës ta vendosë të riun në kontakt me talentin e vet. Ta zbulojë aty ku nuk duket dhe ta ushqejë aty ku është zbuluar.
Shkolla e mesme është shumë e rëndësishme në këtë aspekt. Të gjitha instancat shtetërore, drejtoritë arsimore e më tej, duhet ta marrin si detyrë kryesore cilësinë e stafeve të mësimdhënies. Të rinjtë, nga ana e tyre duhet të kërkojnë cilësi. I riu nuk mëson sa për një diplomë, sa për një punë e sa për një mbijetesë. Ai ose ajo arsimohet për një jetë të tërë.
Mos prisni që cilësia të jetë ofertë, cilësia duhet të jetë edhe kërkesë. Që ta keni cilësinë duhet ta kërkoni atë e jo vetëm të prisni që ajo të ofrohet nga ana tjetër.
Të nderuar pjesëmarrës e deputetë,
Inteligjenca e një shteti shihet te aftësia për të siguruar jetëgjatësinë rinore të shoqërisë së vet, pra jetëgjatësinë e pasionuar të popullit të vet. Inteligjenca e një shteti shihet në respektin e natyrës që e ka në zotërim. Jo më kot, ata që e mbrojnë më shumë natyrën në të gjithë botën janë të rinjtë, dhe jo më kot ata që sjellin ndryshime në shoqërinë politike janë të rinjtë. Le t’ia dëshmojmë vetes se jemi në lartësinë e duhur. Le të krijojmë kushtet për aftësi-prodhim-krijim. Këtë kërkon edhe investimi i lartë, këtë kërkon edhe prodhimi autentik vendor. Praktikë e teori. Direktiva është e qartë. Mbetet të përcaktohet perspektiva. Po e përsëris edhe një herë: Pjekuria e rinisë është të na e mbajë gjallë pasionin, pjekuria jonë është t’i mbajmë gjallë rinisë pasionin e saj.
E di që ka të rinj që kanë marrë botën në sy por gjithashtu e di edhe që shumë të ri po kthehen nga bota në Kosovë dhe që të gjithë këta qofshin në Kosovë ose në mërgatë, mund të jenë nganjëherë jashtë vendlindjes por do të jenë përherë brenda kombit në politikat tona qeveritare e në angazhimet tona publike.