Kurti: Rritja ekonomike këtë vit pritet të jetë 3.8%
Kryeministri Albin Kurti ka thënë të martën se qarkullimi i ekonomisë ka pasur një rritje të jashtëzakonshme.
Sipas tij, nga 12.56 miliardë euro në vitin 2019, në 18.15 miliardë euro në vitin 2022, një rritje prej 44.5%.
“Të hyrat nga taksat në periudhën 2020-2022 u rritën me 47%, pa e ndryshuar politikën fiskale. Në fushën e tregtisë ndërkombëtare, eksportet tona në vitin 2022 arritën në 920.4 milionë euro, pothuajse duke u dyfishuar krahasuar me vitin 2020. Jemi në rrugën e duhur për të tejkaluar 1 miliardë euro eksporte këtë vit, një arritje që nënvizon dinamikën e ekonomisë dhe të eksportit tonë”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti ka pohuar se raporti eksport-import ka pësuar përmirësime të ndjeshme, duke kaluar nga pothuajse 1:9 në vitin 2019, në më pak se 1:6 sa është aktualisht. Sipas tij, ky është një tregues i qartë i rritjes dhe diversifikimit të ekonomisë sonë.
“Investimet në vendin tonë kanë qenë të fuqishme, me investimet e huaja direkte që janë dyfishuar për dy vite. Vetëm në vitin 2022, ne regjistruam 772 milionë euro në Investime te Huaja Direkte, në total prej 1.2 miliardë euro për dy vitet e fundit. Rritja jonë ekonomike në vitin 2022 ishte 5.2%, dhe për vitin 2021 në një nivel impresiv prej 10.7%. Ndërkaq këtë vit duket se do të mund ta përmbyllim me një rritje ekonomike prej 3,8%”, ka deklaruar Kurti.