Kurti: Rryma u shtrenjtua në krejt Evropën, jo veç te ne, tani situata është stabile
Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për “Kosovapress”, ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike vjen si pasojë e mungesës së kapaciteteve gjeneruese në Kosovë, e si pasojë duhet të importohet me çmimin e ngritur jashtë vendit.
Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit, ka thënë se rryma nuk është shtrenjtuar vetëm në Kosovë, por në të gjithë Evropën.
Megjithëse, ai ka thënë se tani gjendja është më stabile.
“Së pari rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndodhur në krejt kontinentin evropian, dhe meqenëse ne nuk kemi kapacitete që ta mbulojmë konsumin e energjisë elektrike, nuk kemi kapacitete gjeneruese, detyrohemi të importojmë, dhe në këtë mënyrë ne e importojmë çmimin e ngritur jashtë vendit. Kjo ka qenë para tre vjetëve shumë e rëndë. Por tash që po flasim situata është shumë më stabile”, ka thënë Kurti.
Sa i përket inflacionit, i pari i qeverisë është shprehur se vetëm në vitin 2022 gjendja ka qenë më e rëndë, ndërsa tani ka stabilizim sa i përket kësaj çështjeje.
“Në këto katër vjet inflacioni ka qenë tepër i lartë në vitin 2022, është mbi 11 për qind. Inflacioni në këto katër vjet është diku rreth 22 për qind. Më shumë se gjysma e inflamacionit në këto katër vjet, është në një vit të vetëm, 2022. Ai ka qenë vit më i vështirë. Ndërkaq në vitin 2024 që sapo e lamë pas, inflacioni ka qenë rreth 1.5 për qind, ndërkaq tre muajt e fundit të 2024-s inflacioni ka qenë ndër 1 për qind. Pra tash kemi një stabilizim”, ka thënë Kurti.