Kurti: Rusia po përdor dhunën seksuale në Ukrainë

17 tetor 2022 | 14:41

Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti, në takim me përfaqësuesit e Rrjetit global të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës SEMA, ka shprehur keqardhje për të dhënat rreth krimeve të dhunës seksuale të raportuara në Ukrainë.

Raportet tregojnë se Rusia po përdor dhunën seksuale si pjesë të strategjisë së saj ushtarake në Ukrainë, ka thënë Kurti, duke shprehur keqardhje të thellë për situatën e rëndë atje.

Kurti ka thënë se kjo ia kujton luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë. Ai ka theksuar se në të gjitha luftërat e tjera, numri i të mbijetuarve ka gjasa të jetë shumë më i lartë se sa sugjerojnë shifrat zyrtare, sepse krimet seksuale shpesh nuk raportohen, për shkak të stigmës që i rrethon.

Ndërsa përfaqësuesit e rrjetit SEMA, Iryna Dovgan dhe Volodymyr Shcherbachenko nga Ukraina, si dhe Pilar Rueda dhe Angela Maria Escobar nga Kolumbia, kanë shprehur mirënjohjen e tyre për mbështetjen dhe mundësinë për të shkëmbyer përvojat lidhur me dokumentimin dhe drejtësinë për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas njoftimit për media të zyrës së kryeministrit, Kurti ka theksuar Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me institucionet si dhe organizatat e shoqërisë civile, në procese të drejtësisë tranzicionale gjithëpërfshirëse, të përqendruara te viktimat dhe me ndjeshmëri gjinore, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

Ai ka përmendur punën e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, i cili ia mundëson të mbijetuarve të aplikojnë për njohjen e statusit, e që garanton trajtim të sigurt të informacionit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Po ashtu, Kurti ka theksuar se për lehtësim të qasjes në drejtësi, qeveria ka rritur buxhetin për katër prokurorë, gjashtë profesionistë dhe dy përkthyes shtesë për krimet e luftës.

Gjatë takimit të përbashkët me zëvendësministren e Drejtësisë Nita Shala dhe përfaqësueset e organizatave joqeveritare është theksuar puna e përbashkët për të mbështetur të mbijetuarit, të drejtat dhe dinjitetin e tyre.

Duke veçuar kontributin e Vasfije Krasniqit është theksuar domosdoshmëria e angazhimit të mëtejmë të përbashkët për të luftuar stigmën që rrethon dhunën seksuale gjatë luftës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një foto e Selena Gomez dhe Hailey Bieber po bën…