Kurti s’dëshiron ta komentojë sulmin e djeshëm ndaj mediave: Flasim në vende të tjera, herë të tjera

09 dhjetor 2024 | 12:12

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të flasë lidhur me sulmin e tij ndaj mediave të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në QKUK, ku ishte për përurimin e punimeve të rinovimeve në Klinikën e Radiologjisë, ai u pyet për deklaratën e tij se “kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katërvjeçarin tonë”.

“Këtu jemi në Klinikën e Radiologjisë. Jemi në Klinikën e Radiologjisë. Për çështje të tjera flasim në vende të tjera, herë të tjera. Faleminderit shumë”, ka thënë Kurti, duke u larguar, pasi paraprakisht ishte ndalur para mikrofonave për të folur për rinovimet në këtë klinikë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar gjuhën e Kurtit ndaj mediave, të cilën e ka konsideruar të rrezikshme.

“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë gjuhë ofenduese dhe shumë të rrezikshme të kryeministrit Kurti, që i rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë. Një fjalor i tillë i papranueshëm që vjen nga kreu i qeverisë, direkt vë në rrezik sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias. Është koha e fundit që zoti Kurti të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtjes ndaj medieve, që pastaj reflektohet dhe shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij. Në respektim të lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë, pa u penguar dhe intimiduar nga pushteti”, është thënë në reagimin e AGK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nën organizimin e Presidencës së Kosovës është mbajtur konferenca me…