Kurti s’e di sa protestues dolën në shesh të shtunën
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se nuk e di se sa njerëz ishin në protestën e 29 shtatorit kundër idesë për lëvizjen e kufijve me Serbinë.
Sidoqoftë, ai ka thënë se në sheshin e Prishtinës ishin dhjetëra mijëra qytetarë.
“Nuk e dimë sa njerëz kishte në protestën e 29 shtatorit në Prishtinë, por e dimë se ishin dhjetëra e dhjetëra mijëra, s’e nuk ka fotografi që ta ketë përthekuar tërë masën, se nuk kishte vend për më shumë njerëz në Shesh dhe në Bulevardin ‘Nëna Terezë’”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka shtuar se protesta ishte madhështore dhe se gjithçka ishte kundër presidentit, të cilin ai e quan injorant.
“Protestë paqësore, masovike, madhështore. Qytetarë të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm, të bashkuar. Populli nuk është turmë, aq më pak i paarsyeshëm, aq më pak i dhunshëm, aq më pak i paditur. Në anën tjetër ishte një individ – iracional, i dhunshëm, injorant, aq më shumë që rastis të jetë president. S’lanë gjë pa i bërë këtij populli. E gënjyen, e fyen, e vodhën, e rrudhën. E sa i mirë, i dlirë, i dashur, i pjekur, që u shfaq. Zemrën e kam të mbushur me gëzim e sytë me shpresë. Ju falenderoj ashtu siç do t’ju shërbej – përjetësisht!” ka shkruar më tej ai.