Kurti s’e përjashton mundësinë e sulmeve të reja nga Serbia
Tekave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk u dihet. Kështu së paku beson kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili duke folur në një intervistë me gazetën gjermane “Stern” rreth potencialitetit të një konflikti apo sulmi eventual ndaj Kosovës nga Serbia, thotë se “nuk e dimë se çka nesër Vuçiqi mund t’i urdhërojë policinë dhe ushtrinë”.
Kurti ka thënë se “ne në vazhdimësi ndjejmë agresivitetin e Serbisë” teksa shpjegon organizimin ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën “si patkua”. “Nuk mund ta përjashtojmë”, ka thënë Kurti rreth eventualitetit të një konflikti të re, por shprehet i bindur se “jemi vigjilentë”. “Kemi mbështetjen e trupave tonë dhe ato të NATO-s, që kanë përforcuar qëndrimin e tyre që nga sulmi i shtatorit për ta mbajtur të sigurt vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për sulmin në Banjskë, Kurti i ka thënë medies gjermane se këtu është veç një person – Vuçiqi sepse “Serbia është show i vetëm një njeriu”, teksa ka shtuar edhe burimin e armëve sulmuesit paraushtarak e kishin nga ushtria serbe.
“Mbarë problemet tona të sigurisë kombëtare, sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial vinë nga Serbia. Por, nën qeverisjen time ne kemi marrë veprime të suksesshme kundër krimit të organizuar. Dhe, kjo, i ka bërë disa njerëz në veri tejet nervoz sepse po e përdornin atë rajon për përfitim të vet. Kjo kulmoi në sulmin terrorist më 24 shtator”, ka thënë ai.
Por, megjithëkëtë, Kurti i ka thënë “Stern”-it gjerman se marrëveshja bazike për normalizim të marrëdhënieve “është gjallë”.
Dhe “është gjallë”, ka thënë ai, teksa fjalinë e ka vazhduar me atë që “Serbia e shkelë atë çdo javë”.
Ndërsa “problemi më i madh”, ka thënë Kurti, është heshtja dhe pasiviteti i BE-së, “e cila nuk ndërmerr veprime kur Serbia shkel marrëveshjet”.
Kurse “marrjen më të mirë” të Serbisë nga ana e diplomatëve perëndimorë, Kurti e ka quajtur gjë aspak të duhur. “Nuk funksionon kjo”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Serbia do të zhvillohet në drejtim të Bjellorusisë. “Ka shumë frikë nga ana evropiane se Serbia do të zhvillohet në drejtim të Bjellorusisë. Zhvillimi tashmë po shkon tërësisht në këtë drejtim. Mbaj mend që miqtë e mi në diplomacinë evropiane më thoshin para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në prill 2022: ‘Pritni zgjedhjet në Serbi do të sjellin një ndryshim kursi drejt Perëndimit’. Por kjo nuk ndodhi. Shumica e diplomatëve perëndimorë dhe ekspertëve të politikës së jashtme ose kanë frikë se mos e humbasin plotësisht Serbinë, ose besojnë se mund t’i çojnë disi në rrugën drejt Perëndimit – thjesht duhet të presin edhe pak. Por nuk funksionon”, ka thënë Kurti.
Kurti, mes tjerash, ka thënë se Beogradi bëhet çdo herë e më “nervoz dhe agresiv” aq më shumë që Kosova bën mirë për serbët e Kosovës. “Popullsia jonë është 93 për qind shqiptare, por kemi edhe katër për qind serbë dhe minoritete të tjera. Kemi diskriminim pozitiv: 20 nga 120 vendet në parlament janë të rezervuara për pakicat e caktuara, por serbët po bojkotojnë vendet e tyre sepse Beogradi u thotë ta bëjnë këtë. Ne i mbështesim serbët në Kosovë në mënyra të ndryshme: ndërtojmë shtëpi, ndihmojmë fermerët fillestarë – Ministri im për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, serb, po kujdeset për këtë. Por sa më shumë të mira të bëjmë për serbët në Kosovë, aq më nervoz dhe agresiv bëhet Beogradi. Në vitet e fundit, Beogradi është bërë edhe më nervoz pasi miratimi i degës së partisë së Presidentit Vuçiq atje ka rënë në tetë për qind”, ka thënë kryeministri Kurti.