Kurti: Serbëve s’po u themi ta marrin valutën e re ‘dardan’ të Kosovës, por euron e BE-së
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rregullorja e BQK-së për transaksione nuk e vë në funksion lekun e Shqipërisë e as, siç është shprehur ai valutën e re “dardan” të Republikës së Kosovës.
“Nuk po u themi serbëve të Kosovës të marrin Lekun e Shqipërisë, e as valutën e re – ‘dardan’ të Republikës së Kosovës, por euron e BE-së, që ne vetë e kemi përvetësuar nga 1 janari i vitit 2002, pasi deri atëherë e kishim Markën e Gjermanisë”, ka thënë Kurti në konferencën për medie me rastin e 3-vjetorit të qeverisjes së tij.
Kujtojmë se sot (e premte) është dita e fundit për dërgimin e propozimeve për çështjen e dinarit, siç është dakorduar në takimin e fundit në Bruksel në mes të kryenegociatorëve Bislimi dhe Petkoviq me Lajçakun.
Në kontekst të kësaj, Kurti ka thënë se ende s’ka përfunduar dita për dërgimin e propozimeve.
“Rregullorja e BQK-së është e panegociueshme. BQK është edhe lart edhe përpara, edhe sipër nesh edhe na prin. Përveç që kanë marr një rregullore të re, ata kanë ofruar edhe një plan 10 pikësh për tranzicion të lëmueshëm tremujorë. Nëse ka pasoja në terren që kanë të bëjnë me resorët e ekzekutivit, do t’i përgjigjemi, ne nuk jemi as lokomotiva e as vagoni i parë, jemi vagoni i dytë. Nëse ka ndonjë të moshuar serb që për 24 vjet nuk ka parë euro kurrë, vetëm dinarin dhe vetëm kesh, ne nuk dëshirojmë që ai ose ajo të mbetet keq dhe për këtë, si qeveri, do të shprehim gatishmërinë tonë për të ndihmuar. Por, i vetmi mjet pagese është euro dhe dinarët kesh në thasë të furgonëve nuk mund të kalojnë kufirin sepse duhet të bëhet formalizimi i transaksioneve financiare dhe në të njëjtën kohë të luftohen të gjitha aktivitetet ilegale”, ka thënë Kurti.