Kurti: Serbia dëshiron të rinegociojë statusin e Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur të dëmshme marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë.
Ai ka thënë se zotimi i kryeministrit Hoti për moratoriumin 1 vjeçar për mos anëtarësim në organizata ndërkombëtare, është antikushtetuese dhe antidemokratike, si dhe është kundër shtetësisë së Kosovës.
Kurti në një intervistë për TVV ka thënë se përmes marrëveshjen së Uashingtonit, Serbia dëshiron të rinegociojë statusin e Kosovës, si territor dhe si pasuri.
“Marrëveshja që u quajt historike është e tillë që nuk ka asgjë të re, por Serbia historikisht çfarë e kemi njohur gjithmonë. Pra, një Serbi e vjetër e cila dëshiron që të rinegociohet statusi i Kosovës si territor, si pasuri dhe e ka gjetur personin që do t’ia mundësojë këtë, askund tjetër e asgjë më pak se në Shtëpinë e Bardhë. Unë jam shumë kritikë karshi projektit të hekurudhës që do të përshkojë nga Fushë Kosova në Merdare, ku ne e dimë që ekziston studimi i fizibilitetit dhe janë dhënë mjetet që hekurudha nga Hani i Elezit të shkojë në Leshak, pra në Veri”, ka thënë Kurti.
“Kur e pash që kemi një zotim të kryeministrit për ta suspenduar të drejtën e Kosovës që të kërkojmë njohje të reja ndërkombëtare, unë me të vërtetë mendova që kjo është një draft-punues nga kërkesat e Serbisë sesa nënshkrim i kreut të qeverisë. Ky është qëndrim antikushtetues dhe antidemokratik, meqenëse nuk ekziston asnjë person i përveçëm që guxon të japë një zotim të tillë. Efektivisht është kundër shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Ai ka folur edhe për minishengenin, për të cilin ka thënë se i konvenon vetëm Serbisë.