Kurti: Serbia e ka refuzuar planin franko-gjerman
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar të martën në lidhje me planin franko-gjerman.
Kurti ka thënë se këtë plan e shohin si bazë të mirë dhe se Serbia e ka refuzuar atë.
“Planin evropian të mbështetur nga Franca dhe Gjermani ne e kemi parë si bazë të mirë për bisedime, ndërsa Serbia e ka refuzuar atë në mbledhjen e Këshillit nacional të sigurisë në Beograd, të mbajtur më 27 tetor 2022, me vendim unanim”, ka thënë Kurti kur është pyetur se a është plani franko-gjerman i përafërt me marrëveshje finale.
Këtë deklaratë Kurti e ka bërë pas përfundimit të takimit që ka pasur me kryetarët e komunave të Kosovës.
Gjatë këtij takimi, Kurti ka porositur kryetarët që t’i rrisin shërbimet ndaj qytetarëve.
“Duhet fokusuar që shpenzimi i këtij buxheti të jetë i hapur, transparent dhe llogaridhënës ndaj qytetarit. Bashkë me ministrat kemi prezantuar buxhetin. Do të kemi rast të diskutojmë gjatë takimit, por edhe ju si komuna duhet ta shihni mundësinë se si mund të ndihmoni më tej në planin afatgjatë”, është shprehur Kurti, duke shtuar se Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni.