Kurti: Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë ndaj paqes dhe pajtimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan” të enjten në Beograd, duke thënë se Serbia ua ofroi skenën “grupeve huligane” në vend se t’ua linte artistëve.
“Fatkeqësisht, Serbia e shfaqi përsëri armiqësinë e saj të paepur ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me paqe dhe pajtim”, shkroi Kurti në X pak pas mesnatës të enjten.
Festivali “Mirëdita, dobar dan”, që promovon bashkëpunimin kulturor mes Kosovës dhe Serbisë, u ndalua me urdhër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, më 27 qershor, pak para hapjes së planifikuar të tij në Beograd.
“Pasi refuzoi përsëri ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, e cila u ndërmjetësua nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja, Serbia e ndaloi të enjten edhe një iniciativë të sponsorizuar nga BE-ja, ‘Mirëdita, dobar dan’”, tha Kurti, i cili i paraqiti të mërkurën në Bruksel tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Autoritetet ndaluan mbajtjen e festivalit pas protestave të grupeve ultra të djathta dhe huliganëve.