Kurti: Serbia, pengesa kryesore evropiane e Bashkimit Evropian
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kur iu referuar përvjetorit të vrasjes se ish-kryeministrit serb, Zoran Gjingjiq, ka thënë se Serbia është pengesa kryesore evropiane e Bashkimit Evropian (BE).
“Një shekull pas vrasjes së mbretit Aleksandar I, vritet kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003. Këto dy vrasje, janë e njëjta vrasje. Nuk do t’i kishim Karaxhiqin, Mladiqin e sot Dodikun në Bosnje, pa Milosheviqin, Sheshelin e sot Vuçiqin në Serbi. Serbia e këtillë është pengesa kryesore evropiane e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Kurtit:
Në përvjetorin e vrasjes së Zoran Gjingjiq
Lufta e Parë Botërore nuk ka nisur me vrasjen e Arkidukës Franz Ferdinand më 28 qershor 1914, por me vrasjen e mbretit Aleksandar Obrenoviq më 11 qershor 1903. Nuk do ta kishim atentatorin Gavrilo Principi në Sarajevë pa kapitenin Dragutin Dimitrijeviq në Beograd. Profesori i historisë moderne evropiane nga Universiteti i Cambridge-it, Christopher Clark, ka një libër të shkëlqyeshëm për këtë me titull: “Sleepwalkers: How Europe went to war in 1914” (Somnabulët: Si shkoi Evropa në luftë më 1914).
Një shekull pas vrasjes së mbretit Aleksandar I, vritet kryeministri serb, Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003. Këto dy vrasje, janë e njëjta vrasje. Nuk do t’i kishim Karaxhiqin, Mladiqin e sot Dodikun në Bosnje, pa Milosheviqin, Sheshelin e sot Vuçiqin në Serbi. Serbia e këtillë është pengesa kryesore evropiane e Bashkimit Evropian. Lufta e Dytë Botërore ka mbaruar, mirëpo duket se ajo e para ende jo. Rusia e nxit Serbinë, e cila e tërheq Francën në danse macabre? Nuk mjafton të shpresojmë se hera e parë ishte tragjedi e tash kjo e dyta është veçse farsë.
/Epoka e re/