Kurti: Serbia po përkeqësohet, arrestimet në kufi janë të qëllimshme

10 janar 2024 | 11:07

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova këtë vit do të përballet sërish me një fqinj të vjetër, i cili sipas tij “po përkeqësohet”.

Kurti në mbledhjen e qeverisë ka përmendur arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe në kufi, duke thënë se kjo është sjellje e qëllimshme dashakeqe e Serbisë.

Ai tha se përkundër marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e sulmon Kosovën dhe po i mbron kryerësit e veprës me në krye Milan Radoiçiqin.

“Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive e progresiste për vendin tonë, edhe ky vit po na e trashëgon një fqinj të vjetër, i cili po përkeqësohet. Javën e kaluar, dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Dakaj u ndaluan dhe u arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar. Kjo është një sjellje e qëllimshme dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, ka thënë Kurti.

Ai e ka përmendur edhe Petrit Dulën dhe Nezir Mehmetajn, të cilët janë duke u mbajtur që moti në burgjet e Serbisë “për gjoja kryerjen e krimeve kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë”.

“Nezir Mehmetaj ka qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pa aktakuzë, në kundërshtim edhe me vetë ligjet e Serbisë, të gjetura këto që i ka theksuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi”, ka thënë Kurti.

Petrit Dula është dënuar në shkallë të parë, përkundër që siç ka thënë Kurti një dëshmitar ka mohuar se ai ishte përgjegjës për një krim.

“Ministra e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në dritë të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe në dritë të rrugës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona, ka kërkuar ekstradimin e Petrit Dulës dhe Nezir Mehmetajt nga autoritetet e Serbisë. Përgjigje nuk kemi pranuar kurrë. Vetëm lajme për vazhdim të procesit gjyqësor kundër dy shtetasve”, ka thënë Kurti, duke shtuar se  Serbia është bërë e rrezikshme edhe për qytetarët e saj, pasi ka përmendur rastin e rrahjes dhe arrestimit të Nikola Sanduloviqit, kryetarit të Partisë Republikane serbe.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Albin…