Kurti: Serbia s’ka shanse me Policinë e Kosovës

02 tetor 2023 | 20:37

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se kriminelët që sulmuan Policinë e Kosovës të dielën e 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit, janë me nënshtetësi serbe. Ai i ka bërë thirrje Serbisë që t’ua dorëzojë ata autoriteteve të drejtësisë në Kosovë. Në një intervistë për median boshnjake, Hayat, shefi i ekzekutivit tha se, në këtë mes, Beogradi ishte klient i këtyre terroristëve.

“Serbia përmes bashkësisë ndërkombëtare duhet t’i dorëzojë anëtarët e tjerë që nuk janë vrarë dhe nuk janë arrestuar në vuajtje të dënimit pas dorëzimit dhe pas procesit gjyqësor, sepse ata janë padyshim terroristë, njerëz që kanë sulmuar me armë të rënda dhe në këtë mënyrë tentuan ta destabilizonin Kosovën. Ata nuk ia dolën, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ballafaqohen me drejtësinë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Ndonëse Beogradi dha urdhërin, sipas Kurtit, reagimi i Policisë së Kosovës dëshmoi se kriminelët “nuk kanë shans” me policinë tonë.

“Beogradi zyrtar ka dhënë urdhrin për të sulmuar Kosovën, por mendoj se tani e kanë kuptuar se organizatat dhe bandat e tilla terroriste nuk kanë asnjë shans me policinë tonë. Mos harroni se këto nuk janë banda kontrabandë dhe as qytetarë të thjeshtë që kanë rrokur armët. Këto janë forca profesionale që kanë luftuar kushedi ku më parë dhe tani kanë ardhur të luftojnë në Kosovë”.

Kurti ka komentuar edhe faktin se Moska ka mund të jetë e përfshirë në sulmin terrorist, për çka ai tha se është e mundur, dhe se këtë e dëshmon takimi i Vuçiqit me ambasadorin rus në Beograd, një ditë pas sulmit.

“Me siguri në të gjitha këto është përfshirë Moska sepse një ditë pas sulmit terrorist në vendin tonë, presidenti i Serbisë takoi në Beograd Aleksandar Bocan-Kharchenko, ambasadorin rus në Beograd, i cili erdhi në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. më 26 shtator 2021 dhe aty për të inspektuar rigrupimin e forcave të ndryshme ushtarake dhe pajisjen e ushtrisë serbe ndërsa mbi kokat e tyre ishte një MiG-29 që ishte dhuratë nga Federata Ruse apo Bjellorusia për Serbinë”, tha Kurti. 

Sa të kënaqur janë me ndikimin e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, Kurti tregon se gjatë gjithë ditës kanë qenë në komunikim me KFOR-in dhe EULEX-in.

Ai ka folur edhe nëse ndonjë nga zyrtarët ndërkombëtarë ka kërkuar lirimin e terroristëve nga veriu i Kosovës.

“Policia e Kosovës është përgjigja e parë. Ai që përgjigjet i pari, kur ka sukses, nuk ka nevojë tjetër. I dyti është EULEX-i dhe i treti KFOR-i. Askush nuk e ka kërkuar dhe askush nuk mund ta kërkojë. Unë jam kryeministri demokratik i një shteti sovran dhe nuk bëjmë marrëveshje të tilla. Askush nuk më ka kërkuar që ta bëj këtë, as nuk është e mundur sepse ata e dinë përgjigjen time paraprakisht. Mendoj se as KFOR-i dhe as EULEX-i nuk janë të përfshirë në ndonjë marrëveshje të tillë. Terroristët kanë ikur sepse terreni është shumë kodrinor dhe ka një vijë kufitare shumë të gjatë mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se vendi i tij ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

“Serbia u mundua vazhdimisht të thotë se nuk ka të bëjë asgjë më këtë sulm, por faktet që do të publikohen dëshmojnë që përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaunik. Këto pamje u siguruan nga dronët e grupit terrorist të cilët i kemi konfiskuar”, tha Sveçla të dielën.

Ai tha se sulmuesit planifikonin ta hapnin “një kanal të gjatë nëntokësorë” nga Banjska deri në Serbi, për “furnizime nga shteti serb”.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se grupi që e kreu sulmin në Banjskë ishte trajnuar për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe.

“Plani i [sulmuesve] ka qenë plan total i aneksimit të veriut të Kosovës. Në dokumentet që ne e kemi, të cilat nuk mund t’i ndajmë me ju tani, ka një plan për aneksimit të veriut të paraparë në fazën fillestare në 37 pocizione, nga ku do të sulmoheshin njësitet tona policore, jo vetëm në Banjskë e Zveçan por në të gjitha pjesët veriore, e pastaj krijimi i një korridori të lirë për Serbi dhe furnizimet tjera me njerëz, materiale, ekspertë dhe furnizime të tjera të nevojshme për një rezistencë të armatosur dhe për krijimin e një realiteti të ri në vend”, tha Hoxha.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Reporteri.net

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se ka nisur…