Kurti: Sfida jonë është çlirimi i Kosovës nga korrupsioni

12 qershor 2020 | 18:54

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të premten në sheshin “Skënderbeu” një tubim për nder të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorit të themelimit të këtij subjekti politik.

Në këtë tubim kanë folur përfaqësues të LV-së, të cilët kanë vlerësuar se kjo lëvizje çdo ditë e më shumë po merr përkrahje të popullit.

Ish-kryeministri dhe lideri i LV-së, Albin Kurti në fjalimin e tij ka falënderuar qytetarët të cilët kishin ardhur në këtë tubim.

“Dua të filloj me një falënderim për secilin prej jush që keni ardhur këtu për këtë ngjarje, por edhe ata që na ndjekin përmes ekraneve, po ashtu edhe diasporën. Para 21 vjetësh, këmbësoria e NATOS-s hyri në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës. Sot kujtojmë dhe festojmë këtë liri që e fituam me gjakun e ushtarëve tonë, me luftën e UÇK-së dhe me sakrificën e gjeneratave të tëra. Sot e kujtojmë edhe gjenocidin, vrasjen e mbi 13 mijë civilëve, zhdukjen po ashtu, përdhunimet masakrat e dëbimin e masiv, djegiet dhe gjymtimin e ekonomisë e infrastrukturës. Sot i jemi falënderues NATO-s”, ka thënë Kurti para të pranishmëve.

Ai ka thënë se qeverisja e tij e mirë u ndërpre, “sepse ata që e kanë kapur shtetin nga të gjitha anët, u kapën së bashku”. “Më 6 tetor e 3 shkurt, ne e çliruam politikën, por e patë se si reaguan regjimi i vjetër dhe kapësit e shtetit. E patë se si presidenti i zgjedhur me vota të kontrabanduara në Kuvend u vërsul për të rrëzuar qeverinë. Në LV ai nuk ka bashkëpunëtorë, por gjeti në LDK, e cila braktisi qeverisjen e mirë dhe tash janë të gjithë së bashku në një qeveri koti dhe që për kumbarë e kanë presidentin. Dhe mirë që janë bashkë, pasi që 20 vjet janë bashkë në vjedhje e zhvatje”, ka thënë Kurti.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë me dije sfida e radhës e LV-së është çlirimi i Kosovës nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit.

Në tubimin e LV-së të organizuar në nderë të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe 15-vjetorit të themelimit të këtij subjekti politik, ish-kryeministri ka thënë se kjo sfidë iu takon qytetarëve të bashkuar duke zgjedhur përfaqësuesit të ndershëm.

“Sfida jonë 21-vjet pas çlirimit nga Serbia, është çlirimi i Kosovës nga korrupsioni dhe kapësit e shtetit. Kjo sfidë na takon neve qytetarëve të bashkuar. Duke zgjedhur përfaqësuesit tanë të ndershëm”, ka deklaruar Kurti.

Para qytetarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ai ka folur edhe për rrugëtimin e LV-së gjatë kësaj kohe.  “Para 15 vjetëve në ndërtesën ku ishte vendosur administrata e UNMIK-ut ne shkruam për herë të parë parullën ‘jo negociata, por Vetëvendosje. Ishte kjo parulla e kërkesës sonë të qartë politike për një shtet demokratik dhe sovran. Gjatë këtyre 15 viteve kemi pasur shumë pengesa dhe kemi pasur shumë sfida. Kemi marshuar përkrah njëri tjetrit. Për atë që na takon si qytetar si komb. Kanë rrahur e lënduar mijëra prej nesh, kanë burgosur e malltretuar qindra prej nesh,  kanë vrarë disa prej nesh”, ka deklaruar Kurti.

(M.K / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Viteve të fundit Liqeni i Komanit, është bërë një nga…