Kurti s’flet gjë për mocionin, por për Kushtetuesen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para pak minutash nëpërmjet llogarisë së vet në “Facebook” e pak kohë para mbajtjes së seancës për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë u është drejtuar qytetarëve me një njoftim. Ai ka treguar se ka dërguar një reagim lidhur me kërkesën e presidentit, me të cilin i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kurtit, presidenti si palë në procedurë nuk e ka plotësuar asnjërin prej tri kushteve të cilat kërkohet të plotësohen në mënyrë që Gjykata Kushtetuese ta aprovojë kërkesën për masën e përkohshme, derisa thotë se kanë kërkuar nga gjykata ta refuzojë kërkesën në lidhje me vendosjen e masave të përkohshme.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk kam përgjegjësi më të lartë dhe më të rëndësishme sesa mbrojtja e shëndetit të të gjithë qytetarëve të vendit. Prandaj unë, bashkë me të gjithë Qeverinë time, jemi zotuar se do të veprojmë në përputhje të plotë me rekomandimet e ekspertëve të IKShP-së dhe, në veçanti, të drejtorit të tij, prof. Dr. Naser Ramadani. Lufta e presidentit kundër këtyre rekomandimeve ka ardhur në kohën më të papërshtatshme të mundshme. Sipas ekspertëve të IKShP-së, po hyjmë në dy javët më kritike, kur rreziku për përhapjen e përshpejtuar të virusit është në nivelin më të lartë. Kam thënë dhe do ta përsëris edhe një herë: Nuk ka vend për panik. Mirëpo, në javët që vijnë, më shumë se kurrë, duhet secili prej nesh, institucionet edhe qytetarët, të veprojë me kujdes të shtuar, në mbrojtje të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.
Kreu i qeverisë nuk e ka përmendur mocionin e mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja, por ka bërë thirrje që të luftojnë kundër virusit COVID 19. “Ne do ta vazhdojmë punën tonë në raport me menaxhimin sa më të mirë të kësaj situate, pavarësisht prej veprimeve të presidentit, derisa të sigurohemi që do të dalim shëndetshëm e sigurt prej saj. Mos lejoni t’ju ndikojnë apetitet politike, por rrini nëpër shtëpitë e juaja, lani duart dhe bëni kujdes me distancën”, thotë ai.