Kurti, shefit të OSBE-së: Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë kërkon marrëveshje ndërshtetërore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të mërkurën në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin ka diskutuar edhe për kërkesën e Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.
Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit, Kurti e ka njoftuar shefin e OSBE-së se për këtë çështje është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore.
“U diskutua edhe rreth temave tjera aktuale. Sa i përket kërkesës së Serbisë për mbajtje të zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndërshtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.