Kurti: Shkolla është domosdoshmëri për të gjithë, si mundësi për të gjithë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Zyra e BE-së, me titull “Arsimi gjithëpërfshirës: Nga politika në praktikë”.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka thënë se kur morëm qeverisjen e Republikës së Kosovës, gati para dy vitesh, patën theksuar se fokusi i tyre ishte një shoqëri e drejtë për të gjithë.
Pra, siç tha ai, synimet e këtij projekti Përfshirja për ngritjen e kapaciteteve për përfshirje në arsim janë shumë të rëndësishme për qeverinë. “Më e mira e shoqërisë së Kosovës duhet të pasqyrohet në shkollat tona dhe shkollat tona duhet të ofrojnë mundësi të drejta”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar rritjen prej më shumë se 26 për qind të buxhetit në arsim në dy vitet e fundit, vendimin për ta bërë arsimin e lartë publik falas dhe bursat që ka dhuruar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për studentë të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian si dëshmi të vëmendjes së qeverisë për arsimin, si një nga shtyllat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryeministri Kurti ka bërë me dije se kanë trashëguar një situatë ku vetëm 59 për qind e të rinjve romë, ashkali dhe egjiptianë përfundojnë arsimin e mesëm të ulët dhe trajtimi dhe adresimi i kësaj është një domosdoshmëri për të gjithë.
“Të dhënat e MICS nga intervistat me adoleshentët romë, ashkali dhe egjiptianë të moshës 15-19 vjeç, tregojnë se 13 për qind e vajzave dhe 16 për qind e djemve në këto komunitete janë ndjerë të diskriminuar. Në tërësinë e popullsisë, shifrat janë vetëm 2 për qind e vajzave dhe 3 për qind e djemve. Kjo është situata nga viti 2020 dhe në vitin 2023 dhe 2024 nuk duam që asnjë fëmijë në vendin tonë të ndihet i diskriminuar. Ne duam që të gjithë fëmijët tanë të jenë krenarë për atë që janë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Dy nga pesë shtyllat e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Ashkali janë identifikuar të jenë edukimi dhe luftimi i diskriminimit, kurse Plani Strategjik për Edukimin identifikon përfshirjen e grupeve të cenueshme në edukim si një prej objektivave strategjike. Në këtë drejtim, kryeministri listoi nismat konkrete të cilat kanë për qëllim që strategjitë të përkthehen në realitet:
1. Mbështetja ndaj ekipeve të Parandalimit dhe Reagimit ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit në shkolla në të gjitha komunat; 2. Zgjerimi i mësimit në gjuhën rome në katër komuna; 3. Vazhdimi në baza vjetore i ndarjes së 500 bursave për nxënësit e shkollave të mesme nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian; 4. Mbështetja e Qendrave të Mësimit; 5. Ofrimi i pozitave të ndërmjetësimit në arsim në së paku shtatë komuna me përqendrim më të lartë të komuniteteve rom dhe ashkali, me qëllim reduktimin e braktisjes dhe mosregjistrimit në shkolla.
Nga përvoja, vazhdoi tutje ai, arsimi nuk është vetëm mision i shtetit për popullin e vet, por është edhe vendi ku fëmijët takohen për herë të parë me shtetin dhe ky takim, thotë ai: “duhet të jetë një i tillë me mikpritje të ngrohtë, mbresëlënëse, që fëmijët nuk do ta harrojnë kurrë dhe që përcakton më vonë edhe profesionet që ata zgjedhin sikurse dhe kontributin dhe punën që bëjnë”.
Kryeministri në këtë konferencë përshëndeti projektin Përfshirja për qasjen gjithëpërfshirëse që ka, duke përfshirë mentorimin dhe mësimdhënien për djemtë dhe vajzat romë, ashkali dhe egjiptianë, dhe trajtimin e qëndrimeve diskriminuese.