Kurti shkruan në librin e zisë për vdekjen e ish-kryeministrit të Japonisë
Në librin e zisë, të hapur në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka shprehur respektin dhe nderimin për ish-kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, i cili u vra ditë më parë.
Kryeministri Kurti është pritur në ambasadë nga ambasadori i Japonisë, Akira Mizutani, të cilit ia ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e Shinzo Abe.
“Puna e z. Abe për demokracinë, lirinë dhe sigurinë në Japoni dhe në botë ishte e jashtëzakonshme. Ai ishte një burrë shteti që punoi pa u lodhur për të çuar përpara një vizion të përbashkët për një botë të lirë dhe të hapur”, ka shkruar kryeministri Kurti në librin e zisë.
Kryeministri e ka vlerësuar kontributin e rëndësishëm të Abes në marrëdhëniet ndërmjet Japonisë dhe Republikës së Kosovës, si një mik dhe partner i madh i vendit dhe popullit tonë. “Do ta nderojmë me mirënjohje të thellë kujtimin për të”, ka shkruar ai.