Kurti shkruan për drejtësinë, ankohet në Gjykatën Kushtetuese
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për drejtësinë në vend gjatë mandatit të tij si shef qeverie.
Kurti ka lavdëruar punën e Ministrisë së Drejtësisë sa i përket hartimit të disa ligjeve, por se sipas tij Gjykata Kushtetuese ka zvarritur shqyrtimin e disa prej tyre.
“Në përmbyllje të vitit të tretë, pas një pritje më shumë se 10 muajsh deri sa Gjykata Kushtetuese e trajtoi lëndën, më në fund kemi konfirmimin mbi amendamentet kushtetuese për vetingun. Pra vetingu i shumëpritur e tejet i nevojshëm po merr rrugë. Por pritja për shqyrtimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin e kemi miratuar në shkurt të vitit 2023, nga po e njëjta gjykatë po vazhdon për më shumë se një vit. E kur gjërat janë varur nga ne, punët kanë ecur më shpejt”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Në përmbyllje të vitit të tretë, pas një pritje më shumë se 10 muajsh deri sa Gjykata Kushtetuese e trajtoi lëndën, më në fund kemi konfirmimin mbi amendamentet kushtetuese për vetingun. Pra vetingu i shumëpritur e tejet i nevojshëm po merr rrugë.
Por pritja për shqyrtimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të cilin e kemi miratuar në shkurt të vitit 2023, nga po e njëjta gjykatë po vazhdon për më shumë se një vit.
E kur gjërat janë varur nga ne, punët kanë ecur më shpejt. Kemi themeluar dhe funksionalizuar Gjykatën Komerciale, siç patëm premtuar, dhe kemi miratuar në qeveri projektligjin për themelimin e Gjykatës Administrative, siç kemi premtuar. E kemi themeluar dhe funksionalizuar Institutin për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë. Në janar të këtij viti u bë edhe pranim dorëzimi i dokumenteve të para në këtë Institut. Po ashtu, kemi mundësuar gjykimin në mungesë për kriminelët e luftës.
Kemi kompletuar pakon ligjore kundër korrupsionit, duke miratuar ligjet për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe atë për Deklarimin e Pasurisë. Gjithashtu kemi mundësuar Task-forcën Anti-korrupsion e cila pritet të funksionalizohet gjatë vitit. Ndër tjerash kemi miratuar edhe rregullativën për sinjalizuesit. Përmes ndryshimeve procedurale penale, gjithashtu kemi mundësuar largimin e zyrtarëve publikë me aktakuza dhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për zyrtarët që kanë keqpërdorur pozitat zyrtare.
Për të adresuar dhunën në familje dhe në baza gjinore që vazhdon të na shqetësoj si shoqëri dhe institucione, kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022-2026, krahas Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, Ligjit për Ndihmë Juridike Falas dhe mbi 10 akte tjera normativ. Në kuadër të fushatës së përvitshme “16 Ditë të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, në fund të vitit të kaluar, për herë të parë lansuam masën e punësimit për gratë që janë viktima të dhunës. Përmes kësaj mase, qeveria do të subvencionojë 70% të pagës së të punësuarave për gjashtë muaj me radhë. Deri më tani janë dhjetëra aplikuese që pritet të përfitojnë nga kjo masë. Ndërkaq strehimoret që kujdesen për viktimat e dhunës në familje dhe organizatat e shoqërisë civile që mbrojnë dhe avokojnë për të drejtat e njeriut, i mbështetëm me 1.6 milion euro gjatë vitit 2023.
Kemi ndarë 200 mijë euro më shumë për fëmijët pa përkujdes prindëror. I kemi liruar nga pagesa e ushqimit në Qendrën e Studentëve dhe banimit në Konvikte të gjithë studentët pa kujdes prindëror ose që kanë qenë në strehim familjar gjatë periudhës sa kanë qenë fëmijë. Ata së bashku me personat me nevoja të veçanta, personat që kërkojnë të realizojnë të drejtat në Qendrën për Punë Sociale dhe personat që përfitojnë nga Ligji për Ndihmë Juridike Falas, gjithashtu i kemi liruar nga tarifat noteriale. Sa i përket shërbimeve noteriale, kemi hapur gjashtë zyra alternative noteriale në Komunën e Malishevës, Rahovecit, Obiliqit, Kamenicës, Istogut dhe Kaçanikut të cilat kishin mbetur pa noterë.
Këtë vit kemi hapur thirrje publike në vlerë prej 1.5 milion euro për mbështetje financiare për strehimoret dhe OJQ-të e licensuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. Ndërkohë që janë licensuar 672 profesionistë të Shërbimeve Sociale dhe Familjare.