Kurti shkruan për takimin me Kallas: Mike dhe mbështetëse e Ballkanit Perëndimor – mezi pres të punojmë bashkë
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar lidhur me takimin që zhvilloi sot në Bruksel me Shefen e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Kurti e ka falënderuar Kallas për mikpritjen, duke shtuar se ajo është mike dhe mbështetëse e Ballkanit Përëndimor. Ai ka thënë se mezi pret që të punojë me të për të forcuar dhe avancuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE’së, shkruan Reporteri.net.
“Ky ishte takimi i parë me Kaja Kallas, pasi që mori detyrën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë. E falënderoj shumë për mikpritjen dhe i uroj shumë suksese në përmbushjen e objektivave të saj dhe të Komisionit të Bashkimit Evropian. Ajo është një mike dhe mbështetëse e Ballkanit Perëndimor, dhe mezi pres të punojmë bashkë për marrëdhënie sa më të fuqishme dhe të avancuara ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe rrugëtim sa më të shpejtë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndryshe, përveç Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Kallas ka takuar edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimet janë zhvilluar ndaras dhe në to është biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Këto takime nuk kanë qenë në kuadër të procesit të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE’ja.
Pas takimeve, Kallas tha se e vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të marrëdhënieve, bazuar në Marrëveshjen e Ohrit.
“I takova presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Kallas.
Kallas po ashtu tha se do të punojë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, “në mënyrë që të mund të ecim përpara në një rrugë me procesin e zgjerimit, që është në dobi të BE-së dhe këtyre vendeve. Dhe rruga tjetër është të përpiqemi të ulim realisht tensionet ekzistuese, në mënyrë që të mund të ecim përpara në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku edhe unë jam i gatshëm të investoj kohën time”.
Pas takimit, Kryeministri Albin Kurti tha se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.
“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, tha Kurti pas takimit.
Kurti tha se ka kërkuar nga strukturat e reja të Komisionit Evropian që të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, të arritur vitin e kaluar dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu.
Ai shtoi se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe tha se ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.