Kurti shkruan për vizitën në panairin ndërkombëtar të teknologjisë dhe industrisë në Hannover
Kryeministri Albin Kurti ka shkruar për qëndrimin dyditor në Hanover të Gjermanisë, aty ku po mbahet panairi më i madh ndërkombëtar i teknologjisë dhe industrisë, Hannover Messe 2024.
“E pikërisht aty, 10 biznese vendore tona nga sektori i teknologjisë dhe përpunimit të metaleve po promovojnë shërbimet dhe produktet e tyre. Pjesëmarrjen ua mundësoi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA). Kjo e fundit gjithashtu organizoi një takim me biznese në të cilin me ministren Hajdari dhe Shefin e Stafit, Luan Dalipi prezantuam arsyet se pse Kosova është vendi i duhur për investime nga kompani gjermane”.
“Në ditën e parë, gjatë paraditës, krahas vizitës te stenda e Republikës së Kosovës takuam edhe përfaqësues nga kompani prestigjioze si Microsoft, Siemens, Schneider Electric, e Bosch Rexroth. Po atë ditë, patëm një drekë pune të organizuar nga Këshilli i Jashtëm Ekonomik e ku bashkëbiseduam me sipërmarrës të kompanive të ndryshme gjermane. Kurse në mbrëmje ishim mysafirë në darkën e shtruar nga Shoqata Federale e Industrisë Gjermane, Dr. Siegfried Russëurm, Kryeministri i landit të Niedersachsen, Stephan Ëeil dhe Drejtori Bordit të Deutschen Messe, Jochen Köckler. I pranishëm në darkë ishte edhe ministri i Ekonomisë së Gjermanisë, njëherësh zëvendëskancelari gjerman, Dr. Robert Habeck, dhe ministri i Industrisë dhe Resurseve Minerale të Arabisë Saudite, Bandar Alkhorayef. Të dy pata nderin t’i takoj”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka theksuar se takim të rëndësishëm patën edhe me kryeministrin e landit të Niedersachsen, Stephan Ëeil.
“Diskutuam për bashkëpunimin ekonomik e kulturor, për energjinë e ripërtërishme, për sektorin e teknologjisë e të industrisë dhe për mësimet që Kosova mund të marrë nga landi i Niedersachsen dhe për mundësitë që ofron për investitorë të huaj. Në Hanover, takova edhe Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien. Në një bisedë të hapur, bashkë edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier diskutuam për rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike si dhe për zhvillimet e fundit. Jemi gjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin e saj qendror dhe mbështetjen ndaj Kosovës në synimet tona për integrim euro-atlantik”, ka shkruar kryeministri.
“E mërgata për të cilën folëm gjatë gjithë kohës në çdo takim që patëm, na mirëpriti si përherë ngrohtësisht. I falënderoj çdo herë për interesimin e tyre për të na përcjellë në çdo vizitë tonë dhe për kontributin e vazhdueshëm e punën e madhe që gjithsecili pjesëtar i mërgatës e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë ndër vite, pa ndërprerë, për Kosovën”.
“Sot jemi në Berlin. Këtu fillimisht do të kemi një bashkëbisedim në fondacionin Bertelsmann. Pastaj do të takoj ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Çem Oezdemir. Për të përmbyllur ditën me ngjarjen e organizuar nga grupi parlamentar i SPD-së gjermane në shënim të 75-vjetorit të Këshillit të Evropës”, ka shkruar Kurti.