Kurti shprehet i bindur se do ta udhëheq Kosovën edhe për një mandat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë është deklaruar në lidhje me zhvillimet e fundit si dhe vizitën që ka pasur sot (e mërkurë) në veri të vendit.
Në adresimin e tij para kabinetit qeveritar, Kurti ka përmendur vendimin për rritjen e pensioneve prej 20 për qind.
“Duke filluar nga ky muaj zbatohen rritja prej 20 për qind për pensionistët. Kurse nga muaji janar do të rriten edhe pensionet për kategoritë e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidëve, viktimave të luftës seksuale të luftës e të tjerë. Puna jonë për rritjen dhe mbështetjen e pensionistëve nuk përfundon me kaq por vazhdon deri tek reforma pensioanle që siguron që ata që kontribuon më së shumti për këtë vend të kenë trajtimin përkatës e të dinjitetesh. Gjatë këtij mandate qeverisës kur kemi hyr në 6 mujorin e fundit pensionet pra ai bazik është rritur nga 120 e katër herë kemi pasur mbështetje financiare të menjëhershme nga 100 euro”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti është shprehur i bindur se do ta drejtojë vendin edhe për një mandat. Këtë bindje e ka shprehur derisa po fliste për programin që lidhet me reformën pensionale.
“Këto rritje janë bërë për të zbatuar programin tonë që ata që kanë më shumë nevojë t’u ndihmojmë më së shumti së pari deh gjithashtu nuk paraqet reformën pensionale ende, që do ta bëjmë në një të ardhme të afërt, në mandatin tonë të ardhshëm”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kurti ka folur edhe për vizitat jashtë vendit, që kishte javën e kaluar.
Ai ka thënë se vendet që s’e kanë njohur Kosovën po synojnë t’i afrojnë e ato që e kanë njohur t’i thellojnë raportet.
“Së fundi ishim në ShBA e në Poloni. Takime të shumta bilaterale me shtete mike e kanë karakterizuar vizitën tonë për të vazhduar më tutje bashkëpunimin në ekonomi, siguri, mbrojtje. Takuam dhe udhëheqës nga shtete mosnjohëse për t’i njohur ata më thellë me vendin tonë, historinë tonë dhe synimet tona demokratike e euroatlantike e për t’i ofruar ato vende sa më tepër drejtë njohjes sonë dhe të bashkëpunimit e të vendosjes së marrëdhënieve bilaterale sa më parë aq më mirë. Këto vende mosnjohëse synojmë ti afrojmë e me vendet që na kanë njohur ti thellojmë raportet bilaterale, s ai përket ekonomisë, shkëmbimeve kulturore e rritjes së volumit të eksportit e importit tregtar”, ka thënë Kurti.