Kurti shprehet i gatshëm t’i presë prokurorët në zyrë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur sot (e hënë) në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar, pasi i njëjti ndodhet jashtë vendit.
Lidhur me mosparaqitjen e tij, për “Klan Kosova” ka folur zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale ka qenë e njoftuar për këtë gjë.
Megjithatë, Kryeziu ka thënë se kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka thënë Kryeziu.