Kurti: Shqiptarët e luftuan fashizmin për vetëvendosje dhe demokraci
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë me dije se më 7 prill të vitit 1939, Shqipëria ishte sulmuar dhe pushtuar nga Italia.
Në këtë kontekst, Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se si në atë kohë Mujo Ulqinaku kishte rënë në mbrojtje të Shqipërisë.
Postimi i plotë i Kurtit:
Para 80 vitesh, më 7 prill 1939, mbretëria e Shqipërisë u sulmua e u pushtua nga perandoria italiane. Shqipëria, një vend i varfër e i dobët, nuk kishte mundur të mëkëmbej. Për 21 vite me radhë, pas përfundimit të Luftës së Parë, qeveritë e Shqipërisë u dominuan nga një elitë politike përgjithësisht despotike ndaj popullit të vet, e cila zhvillimin e vendit e shihte vetëm si pasojë e pasurimit të vetes. Qeveritarë të tillë, pa një vizion kombëtar, nga njëra anë eleminonin opozitarët dhe idealistët, kurse, nga ana tjetër ftonin në vend kapitalin privat apo shtetëror nga vende të cilat ushqenin interese territoriale ndaj Shqipërisë.
Ndoshta dikush shpresonte se, meqë Italia e kontrollonte ekonomikisht, e në masë të madhe e ndikonte politikisht Shqipërinë duke iu përzier në punët e saj të brendshme, ajo nuk do të kishte nevojë të ndërhynte edhe me ushtri. Por historia e njerëzimit, ajo e vjetra e ajo bashkëkohorja, dëshmojnë se kjo shpresë është e kotë. Vendi që nuk është në gjendje të mbrohet ushtarakisht, të qeveriset mençurisht, e të prodhojë ekonomi dhe paqe, përfundon pa sovranitet dhe gjithnjë i rrezikuar.
Historianët tregojnë se në popullin e Shqipërisë lajmi për pushtimin e mundshëm italian u përhap disa javë përpara se ai të ndodhte. Dhe shqiptarët, të cilët historikisht kanë ditur të tregojnë vlera më të larta se ato të drejtuesve të tyre, u mblodhën në demonstrata e protesta, në Tiranë, në Elbasan, në Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë etj. Shqiptarët kërkonin armatim, që të mund të vetëmbroheshin. Por, qeveritarët, me bashkëpunimin e medies së kohës, shpërndanë fjalën se lajmi për pushtimin ishte veç thashethem, e se ushtria vendase ishte e gatshme të mbrohej, bashkë me udhëheqësinë e cila premtonte se, në rast nevoje, do t’i bashkëngjitej ushtrisë në mbrojtjen e vendit.
Por, në vend të kësaj, ushtria u sabotua dhe u la pa armatim, ndërkohë që udhëheqësia mori thesarin dhe e lëshoi vendin. E në mëngjesin e 7 prillit 1939, në portin më të madh të vendit, në Durrës, vetëm disa qindra ushtarë, nën komandën e Abaz Kupit rezistuan për dy orë me radhë, me pak armatim, kundër njërës prej ushtrive më të fuqishme në botë, në atë kohë. Historia jonë mban mend luftën e lavdishme dhe rënien e Mujo Ulqinakut, në bregdetin e Durrësit duke mbrojtur vendin e tij.
Luftime pati edhe në Shëngjin, e italianëve u zunë pritë edhe në rrethinat e Vlorës. Edhe pse Italia fashiste u përpoq ta shesë pushtimin si një bashkim vullnetar të Shqipërisë me Italinë, shqiptarët e bënë me dije rezistencën e tyre. Argumentet kryesore të propagandës fashiste ishin tre sosh: a) çlirimi i popullit prej një klase politike të paaftë, despotike dhe të korruptuar, b) bashkimi i trojeve shqiptare nën një qeveri fashiste, c) zhvillimi infrastrukturor dhe industrial i vendit. Të trija këto ishin dëshira, bile nevoja urgjente për popullin shqiptar. Madje, konsideruar rrethanat, ato janë të nevojshme edhe sot. Por, rruga e vetme për të përparuar një komb është rruga e lirisë, synimet politike të një kombi arrihen vetëm përmes punës e sakrificave të veta, e jo përmes ‘ndihmës’ nga pushtues e uzurpatorë.
Andaj shqiptarët e luftuan fashizmin, në Shqipëri, Kosovë e troje të tjera, me shpresën se pas luftës do të kishin vetëvendosje dhe demokraci. Fakti se kjo nuk u arrit, dhe se vuajtje të tjera të mëdha e prisnin popullin shqiptar, nuk e zhvleftëson rezistencën dhe luftën antifashiste. Idealet e tyre për vetëvendosje e demokraci në një komb të çliruar e të bashkuar, mbeten edhe tonat.
Lavdi për Mujo Ulqinakun dhe gjithë të rënët e tjerë kundër pushtuesve fashistë.
/Epoka e re/