Kurti: Sistemi i drejtësisë të japë dënime meritore për dhunuesit dhe për kriminelët
Me një minutë heshtje për vrasjen e Liridona Ademaj, e nisi fjalën e tij kryeministri Albin Kurti, në konferencën rajonale, bashkëorganizim i Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Presidencës, me temën “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”.
Kurti tha se zbardhja e plotë e rastit të Liridonës është drejtësi. “E i drejtë presim të jetë dënimi, pra maksimal”, është shprehur ai, teksa shprehu nga aty edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe uroi shëndet për fëmijët e saj.
Kurti ka theksuar se po punojnë në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore, duke plotësuar dhe ndryshuar kodin e procedurës penale, duke ashpërsuar masat për kryesit e veprave penale të dhunimit, dhunimit seksual dhe të dhunës në familje.
Në të njëjtën kohë, ai ka thënë se është përmirësuar qasja në shërbime sociale duke i ngritur mbështetjen për këto shërbime dhe duke siguruar qëndrueshmëri financiare për strehimoret e të mbijetuarave të dhunës në familje, përmes rritjes së buxhetit dhe linjës së veçantë buxhetore për to.
Megjithëkëtë, kryeministri shtoi se ka nevojë që i tërë sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave, dhe të japë dënime meritore për dhunuesit, për kriminelët.
“Nuk kemi si ta themi më prerazi që na duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë dhe demokratike, çfarë ne duam të jemi dhe do të aspirojmë të mbetemi përherë”, u shpreh Kurti.