Kurti: S’kam premtuar kurrë heqjen e vizave, sepse s’mund të flas në emër të Francës dhe Holandës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk e ka premtuar asnjëherë liberalizimin e vizave.
Arsyeja pse, sipas tij, nuk e ka bërë këtë as kur ka qenë në fushatë zgjedhore dhe as tash si shef i Qeverisë së Kosovës është se nuk mund të flasë në emër të Francës dhe Holandës që janë skeptike për heqjen e vizave për kosovarët.
“As në fushatë për t’u zgjedhur dhe as si kryeministër i zgjedhur asnjëherë nuk kam premtuar liberalizimin e vizave, sepse nuk flas dot në emër të Francës dhe Holandës.
Skepticizimi i këtyre shteteve anëtare është edhe në kundërshtim me qëndrimet e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Unë dhe kabineti bashkë me të gjitha institucionet duhet të punojmë që ta ndërrojmë këtë qëndrim.
Nuk është kollaj, por jemi optimistë se këto vende e kanë shansin unik që një qeverie të re të pakorruptuar dhe që e lufton korrupsionin në institucione dhe shoqëri thjesht të tregojmë se ka ndryshuar imazhi i Kosovës, ndërkohë që ato 95 kriteret ka shumë kohë që janë plotësuar”.
“Skepticizmi besoj që nuk ka bazë objektive, por ka dinamika të brendshme në vendet e BE-së ku forca të ndryshme të ekstremit të djathtë në mënyrë iracionale mundohen që paragjykimet e tyre t’i bëjnë perceptime të popullit.
Në këtë aspekt edhe partitë e tjera në këto vende besoj që nuk do të duhej, të frikësuara nga ekstremi i djathtë, ta zbusin mbështetjen për Kosovën.
Kosova është në Ballkanin Perëndimor i vetmi shtet i rrethuar me shtete që nuk janë anëtare të BE-së, me ç’rast rajoni jonë nuk është fqinj i Bashkimit Europian, por i rrethuar nga Bashkimi Europian dhe e ka vetëm shtetin tonë pa liberalizim të vizave që po e godet shumë”, ka deklaruar ai në një intervistë dhënë për televizionin publik nga Brukseli ku po qëndron në vizitë zyrtare.
Ai ka thënë se kanë shumë mirëkuptim te partnerët që kanë premtuar që do të bëjnë përpjekje shtesë për të ndryshuar qëndrimet skeptike, sidomos në Francë dhe Holandë.