Kurti: S’mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa pasur siguri

01 dhjetor 2023 | 12:48

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk është në dijeni për ndonjë takim të planifikuar gjatë dhjetorit në Bruksel, në mes tij, ndërmjetësuesve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, derisa ka thënë se Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por sipas tij nuk mund të ketë normalizim pa pasur siguri.

Kurit gjatë vizitës në Komunën e Gjilanit, është pyetur nëse do të ketë takim në mes të tij dhe Vuçiqit gjatë muajit dhjetor në Bruksel, gjë ka thënë se nuk është në dijeni nëse do të ketë një të tillë.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të planifikuar, por ju e keni të qartë se unë si kryeministër dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë qenë gjithmonë të përkushtuar, konstruktive, kreative, por nga sulmi terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit ne duhet të theksojmë se prioritet i shtetit të Kosovës është siguria. Është siguria e kufijve. Ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të kemi normalizim pa pasur siguri, e siguria nënkupton që kriminelët terroristët nuk duhet të jenë të lirë si fatkeqësisht po ndodhë Serbi. Ndërsa kufiri i Kosovës i cili është 881 kilometra vetëm në pjesën në Serbi, duhet të jetë i sigurt. Andaj edhe për mbrojtjen e tij po angazhohemi në institucionet tona të sigurisë, por edhe me partnerët tonë ndërkombëtarë”, është shprehur Kurti.

Kurti është pyetur edhe për paralajmërimin e Lajçakut lidhur me marrëveshjen për energjinë, ku ka thënë se të gjitha vonesat ndodhin nga pala tjetër tash gati dy vjet.

“Ajo është dashur të kryhet në vitin 2021, meqë nuk u kryer në vitin 2021, është dashur të kryhet në vitin 2022, meqë nuk u krye as në vitin 2022, ka mbetur edhe një muaj i vitit 2023, të kryhet. Sa na përket neve jemi shumë të interesuar, por të gjitha vonesat dhe sabotimet bëhen nga pala tjetër në vazhdimësi tash më shumë e tash dy vjet”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti është pyetur edhe për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku ka thënë se ajo pjesë e ka gjithmonë mbështetjen e Kosovës.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës ne vazhdimisht po e rritim buxhetin i cili dedikohet shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe jemi të interesuar që t’i mbështesim ata në çdo aspekt. Sa i përket zgjedhjeve që mbahen në Serbi, natyrisht që ne japim kontributin tonë që zëri dhe interesi i shqiptarëve të jenë sa më shumë të përfaqësuar dhe ky kontribut i yni të bëhet në mes të takimeve me ata dhe sidomos në mes të këshilltares time për Preshevë, Medvegjë dhe Bujnanoc”.

“Nuk kisha dashur që të them diçka që mund të mos bëhet në fund të zgjedhjeve, por as të ulë pritjet sepse nuk e di si do të shkojnë ato zgjedhje. Ju e dini që Serbia nuk është vend demokratik sikur ne. Por gjithë mbështetjen tonë e kanë. Në këtë vit e kishin buxhetin 2 milionë euro, ndërkaq në vitin e ardhshëm e kemi shtuar dhe e kemi bërë 3 milionë euro dhe në këtë mënyrë ne po vendosim dyshe përfund së cilës nuk mund të shkojë as qeveria jonë në vitet e ardhshme, por as një qeveri në të ardhme”, ka thënë Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deklarata e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn…