Kurti sot në Bruksel, merr pjesë në darkën tradicionale me liderët e Ballkanit Perëndimor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të marrë pjesë në darkën tradicionale me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Kurti atje do të jetë me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për Telegrafin se, kjo darkë shërben si mundësi e mirë diskutimi për zhvillimet në rajon dhe bashkëpunim bilateral me BE-në.
“Me ftesë të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrel, kryeministri Kurti nesër do të marrë pjesë në darkën tradicionale me liderët e Ballkanit Perëndimor. Ajo shërben si mundësi e mirë për diskutim të përbashkët mbi zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bileteral me BE-në dhe rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian”, është shprehur Kryeziu për Telegrafin.
Megjithëse ky do të jetë takimi i parë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, i njëjti nuk pritet t’i paraprijë rifillimit të dialogut.
Ndërkohë, vizitat e shpeshta në Bruksel të Kurtit, opozitarët po i shohin si heqje dore nga gjitha kauzat politike të tij sa ishte në opozitë.
Kjo është vizita e dytë e kryeministrit Kurti në Bruksel prej kur ka marrë detyrën në mars të këtij viti.