Kurti sot në Vjenë flet për temën “Kosova si peng i interesave gjeopolitike”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Vjenë.
ZKM ka njoftuar se sot Kurti do të jetë mysafir i ftuar nga Karl-Renner-Institut për të diskutuar mbi temën “Kosova: Shteti i ri demokratik si peng i interesave gjeopolitike”.
Ky diskutim do të mbahet në orën 18:00.
Ndërsa, nesër Kurti do të zhvillojë takime me përfaqësues të kompanive private të sektorit të energjisë, për t’i njoftuar më për së afërmi me mundësitë për investime që Kosova ofron në këtë fushë.
Kurti mbrëmë mori pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit jubilar të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës.
Para të pranishmëve, ai u shpreh shumë i nderuar të qëndrojë para tyre, në këtë ngjarje.
Kryeministri Kurti tha se në kohë si këto bota është e mbushur me skena konflikti, ky organizim bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse ai nënvizon domosdoshmërinë për të qëndruar së bashku, për të folur së bashku dhe të punuar së bashku.
“Takimi ynë këtu nuk është thjesht një traditë vjetore; është një riafirmim i agjendës sonë të përbashkët përballë vështirësive. E ardhmja jonë është e ndërthurur me mirëqenien e çdo vendi të përfaqësuar në këtë sallë, të kontinentit tonë evropian dhe Bashkimit Evropian si fati ynë që ne përqafojmë, me çdo komunitet që premtojmë t’i shërbejmë dhe me frymën kolektive që mishëron ky forum” deklaroi ai.